Qentë endacak të lirë nga disa zoonoza parazitare


Padyshim se Kosova ka një numër të madh të qenve endacakë (pa pronarë), të cilët janë të koncentruar në vendbanime si në zonat urbane poashtu edhe në ato rurale, pra aty ku qentë mund të kenë qasje në mbetjet e ushqimit.
Por, për qytetarët e vendit është me rëndësi të dihet fakti se sa qenë endacakë janë të infektuar me sëmundje infektive dhe parazitare, si dhe çfarë rreziku paraqesin ata për shëndetin publik.
Për këtë arsye, profesorë dhe bashkëpunëtorë shkencorë nga Departamenti i Mjekësisë Veterinare, Universiteti i Prishtinës Hasan Prishtina në bashkëpunim me Institutin e Parazitologjisë të Universitetit të Cyrihut- Zvicër dhe Shoqatën për Mbrojtjen e të Drejtave të Kafshëve ANIMA në Kosovë realizuan një studim për të hulumtuar praninë e sëmundjeve zoonotike parazitare në qentë endacakë të komunës së Prishtinës me qëllim të vlerësimit të rrezikut të kalimit të këtyre sëmundjeve nga qentë tek njerëzit.
Parazitët e hulumtuar në qenë ishin Leishmania infantum, Babesia canis, Dirofilaria immitis dhe Angiostrongylus spp. Interes të veçantë në kuadër të këtij studim kishte mundësia e pranisë së sëmundjes së Leishmaniozës, si rrezik serioz për shëndetin publik. Për këtë hulumtim në fund të vitit 2014 dhe në fillim të vitit 2015 u morën 91 mostra gjaku, ku të gjitha rezultuan negative në këta parazitë.
Analizat parazitologjike u kryen në Laboratorin e Parazitologjisë pranë Departamentit të Mjekësisë Veterinare, si dhe konfirmimi i tyre u bë në Institutin e Parazitologjisë në Cyrih.
Rëndësia e këtij hulumtimi, përveç faktit se na jep një pasqyrë të pranisë së këtyre sëmundjeve në qentë endacak, qëndron në krijimin e një ideje më të qartë rreth rrezikut real që këto kafshë paraqesin për shëndetin publik, me gjithë nevojën për një kontroll të qëndrueshëm dhe human të shtimit të tyre.