Punëtori për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore për gra dhe fëmijë
Prishtinë, 22 shtator - Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Imet Rrahmani sot mori pjesë në punëtorinë e organizuar nga Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSh), UNFPA-në dhe UNICEF-in, me përkrahjen financiare të Qeverisë së Luksemburgut, që për qëllim ka përmirësimin e cilësisë së shërbimeve shëndetësore për gra dhe fëmijë.
Ministri Rrahmani ka thënë se mbështetja e projekteve të tilla nga MSh, nuk do të mungojë asnjëherë, kur është fjala për ngritjen e edukimit të vazhdueshëm të profesionistëve shëndetësor, që për qëllim kanë ofrimin e shërbimeve shëndetësore më cilësore për qytetarët e vendit tonë.
Jam falënderues për mbështetjen e vazhdueshme që po na japin organizatat ndërkombëtare që operojnë në Prishtinë, si OBSh, UNFPA, UNICEF etj, dhe donatorët e ndryshëm si në këtë rast që është Qeveria e Luksemburgut që ka përkrahur financiarisht këtë projekt, tha ministri Rrahmani.
Shefi i Zyrës së OBSH-së në Prishtinë, Dr. Skender Syla, tha se qëllimi i këtij projekti është përmirësimi i cilësisë së shërbimeve shëndetësore për gra dhe fëmijë.
Ky proces ka filluar në mënyrë të mbarë, dhe se hapat e mëtutjeshëm duhet të merren në koordinim me bashkëpunëtorë ekspertë të kësaj lëmie, që do të kontribuojnë në këtë aspekt edhe me prezantimet e tyre në këtë punëtori, tha dr. Syla.
Edhe Kryesuesi i Bordit të SHSKUK, dr. Sadik Llullaku dhe Drejtori i SHSKUK, dr. Curr Gjocaj, u zotuan për përkrahje të këtij projekti.
Pra, me qëllim të përmirësimit të cilësisë së shërbimeve shëndetësore për gra dhe fëmijë, nga Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me Organizatën Botërore të Shëndetësisë, UNFPA-në dhe UNICEF-in me përkrahjen financiare të Qeverisë së Luksemburgut, ka vazhduar procesi i iniciuar nga viti 2013 pёr auditin e vdekjeve maternale , bazuar në strategjinë globale të OBSh-së Përtej numrave (Beyond the numbers).
Në punëtorinë ndërshtetërore të Evropës Jug Lindore të mbajtur në Shkup në nëntor të 2014-ës, ku mori pjesë edhe Sekretari i Përgjithshëm i MSh-së dr. Gani Shabani, u konfirmua rëndësia e këtij procesi.
Vazhdimësi e këtij procesi ishte punëtoria teknike e mbajtur në Nëntor 2014 dhe tani është planifikuar punëtoria e radhës, dy ditore e cila po mbahet në Prishtinë, sot dhe do të vazhdojë edhe nesër, me pjesëmarrje të konsulentëve ndërkombëtar, Dr. Gwyneth Lewis , Znj.McGee dhe Dr. Stelian Hodorogea.