Punëtorët shëndetësorë më 4 maj në grevë
Prishtinë, 29 prill - Shërbyesit shëndetësorë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës të premten kanë bërë të ditur se më 4 maj do të mbajnë një grevë një orësh dhe kjo pasi kujdestaritë e muajit mars i kanë marrë me zbritje në pagë.
Kryetari i Sindikatës së QKUK-së, Xhemail Selmani në një konferencë për media tha se mjekët nga 17 euro që janë paguar për kujdestari, me zbritje ato i kanë marrë në 11 euro ndërkaq stafi i mesëm siç janë infermierët nga 11 euro sa janë paguar, i ka rënë ti marrin vetëm nga 4 euro.
Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës (FSSHK) që në strukturë të saj përbërëse është edhe Sindikata e QKUK-së, përkrah fuqishëm vendimin e Këshillit Drejtues të kësaj sindikate mbi protestën njëorëshe e cila do të mbahet me datën 4 maj pranë klinikës së kirurgjisë.
FSSHK-ja, jo vetëm se përkrah këtë veprimi sindikal, mirëpo njëkohësisht konfirmon edhe aktivitetin e saj të zhvilluar në drejtim të rregullimit të drejtë të pagesës së kujdestarive për punët e kryer nga punëtorët shëndetësorë, e që është arsyeja kryesore e shprehjes së pakënaqësisë të punëtorëve shëndetësorë të QKUK-së dhe të gjitha institucioneve në mbarë Republikën e Kosovës.
Sindikalistët e QKUK-së thanë se nëse protesta e majit nuk i ngritë pagat e kujdestarisë atëherë do të vendoset për një grevë, ku në të do të marrë pjesë edhe stafi i Emergjencës.