23 Dhjetor 2024

Publikohet ‘’Ndikimi i COVID-19 në ndërmarrjet në pronësi të grave’’

Prishtinë, 14 tetor - Pasiguria ekonomike e krijuar nga pandemia COVID-19 ka prodhuar rezultate negative për të gjitha bizneset dhe industritë, me theks të veçantë tek grupet më të ndjeshme, siç janë bizneset në pronësi të grave. Kjo u tha gjatë publikimit të studimit ‘’Ndikimi i COVID-19 në ndërmarrjet në pronësi të grave në Kosovë’’ të kryer nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë. 

Autorja e studimit, Ardita Hajra, zyrtare e politikave në Odën Ekonomike Amerikane, e cila bëri edhe prezantimin e të gjeturave kryesore të studimit, theksoi se i njëjti synon të ofroj njohuri mbi trendet aktuale, format dhe nivelin e dëmeve të shkaktuara nga pandemia, si dhe identifikimin e problemeve kryesore me të cilat po përballen gratë gjatë kësaj periudhe mjaft të vështirë. Sipas këtij studimi, sfida më e madhe për gratë pronare ka qenë mirëqenia ekonomike 40.94%, e ndjekur nga nevoja për përkujdesje të shtuar ndaj familjes, me 28.19%. Siç zbulon ky studim, një e gjetur tejet shqetësuese është edhe shifra e bizneseve të mbyllura plotësishtë gjatë fazës së izolimit, me 65%, ndërsa, të dhënat tregojnë se ka pasur një rënie të lartë të përqindjes në shitje, rreth 90%. 

Amadamentimi i Ligjit të Punës mbetet ende thelbësorë për nxitjen e punësimit të grave, ku studimi gjen se rreth 90% e grave të anketuara janë optimiste se ndryshimi i këtij ligji do të nxiste rritjen e numrit të grave të punësuara. Edhe pse gratë përballen me sfida dhe pengesa specifike dhe ato nën-përfaqësohen në pozita udhëheqëse, 35,71% e tyre besojnë se përmirësimi i ambientit të të bërit biznes në përgjithësi do të rriste drejtpërdrejtë pjesëmarrjen e grave në treg, pasi që probleme të ndryshme në biznes janë të ngjashme si për gratë ashtu edhe për burrat. Siç theksojnë të gjeturat e studimit, grantet e veçanta nga Qeveria me 74.81% do të ishin një masë ideale për rimëkëmbjen e bizneseve të grave.

Gjatë tryezës së diskutimit për të njëjtën temë, Mrika Gashi drejtoreshë ekzekutive në AZHR-Qendër, njëkohësisht anëtare e Bordit të Guvernatorëve të Odës Amerikane theksoi se duhet të rritet ndërgjegjësimi si dhe qasja e grave në informata për aplikime në grante, sidomos për gratë në zonat rurale të cilat kanë qasje më të limituara ne resurset e nevojshme për zhvillimin e bizneseve të tyre. Gashi potencoi se mbështetja përmes fondeve të ofruara nga Qeveria e Kosovës, sado e dobishme, fatkeqsisht është e pamjaftueshme. Ajo gjithashtu bëri thirrje për organizimin e sesioneve informuese dhe trajnimeve profesionale, promovimin e grave në biznes si dhe fuqizimin e pozitës së tyre në tregun vendor, rajonal dhe atë ndërkombëtar. 

Besa Ilazi, specialiste e menaxhimit të projektit në zyrën e USAID për Rritje Ekonomike, theksoi se në Kosovë, pjesëmarrja e grave në fuqinë punëtore është mjaft e ulët, ndërsa fuqizimi ekonomik i grave është thelbësore për zhvillimin e vendit. Ilazi informoi pjesëmarrësit për strategjinë e USAID për pesë vitet e ardhshme, e cila fokus kryesor ka zhvillimin gjithëpërfshirës, pa dallime gjinore, etnike apo në moshë. Sipas saj, kjo strategji synon të sigurojë përfshirje të barabartë në ekonomi, ndërsa në kuadër të saj, gratë ndërmarrëse do të ndihmohen përmes asistencës teknike.  Ilazi po ashtu përmendi edhe një projekt tjetër i cili synon të rris prezencën e grave në tregun ndërkombëtarë, me fokus në eksport, përkatësisht në sektorin e teknologjisë informative, atë të përpunimit të drurit dhe të ushqimit.  

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)