Promovohet Regjistri i barnave në Kosovë
Prishtinë, 24 nëntor - Në një konferencë për media, të mbajtur sot në Ministrinë e Shëndetësisë, u promovua Regjistri i barnave 2010.
Dr. Ilir Tolaj, Sekretar Permanent në Ministrinë e Shëndetësisë, tha se në dhjetë vjetët e pasluftës, sektori farmaceutik në Kosovë i është nënshtruar një veprimi kaotik dhe si pasojë e kësaj, Kosova është bërë vend i përshtatshëm për zhvillimin e tregut të zi me barna dhe produkte mjekësore.
Barnat e shumta pa afat, cilësia e dyshimtë e tyre dhe tendenca e vazhduar e një kategorie përfituesish që furnizimin e popullatës e kanë parë si mjet për të përfituar për vete, kanë bërë që të kemi një gjendje të vështirë në sektorin e barnave, një gjendje ku vazhdimisht sfidohet ligji, kriteret dhe standardet e furnizimit, distribuimit dhe disperzimit të barnave, tha ai.
Prandaj, ka theksuar Tolaj, regjistri i promovuar dhe që i përmban ekskluzivisht vetëm barnat të cilat janë të regjistruara në Republikën e Kosovës, pra ato barna që kanë autorizim për marketing dhe ato që i kanë të plotësuara kushtet për import të kushtëzuar, do të jetë një arsye më shumë për profesionistët që të zbatojnë praktikat e mira në sektorin farmaceutik dhe në të njëjtën kohë, kjo do të jetë një edhe vërejtje për përfituesit e paligjshëm të cilët duhet të ndërpresin veprimet e padrejta dhe të përfitojnë në llogari të sëmurëve.
Ai tha se ky regjistër duhet të jetë pjesë e tavolinës së punës së mjekëve, farmacistëve dhe profesionistëve të tjerë, me qëllim që përfundimisht të fillojë të vendoset rregulli në sektorin farmaceutik dhe atyre që sfidojnë ligjin dhe rregullin do tu ngushtohet hapësira e veprimit.
Dr. Rexhep Hoxha nga Instituti i Farmakologjisë i Fakultetit të Mjekësisë, tha se ky regjistër i inkuadron të gjithë faktorët relevantë të sektorit farmaceutik në këtë fazë dhe duke qenë se si i tillë regjistri përmban disa elemente qenësore si janë emri gjenerik i barit, grupi farmakoterapeutik, ATC Kodi, kategorinë e përdorimit, mënyrën e ndikimit, dozimit dhe kundërindikimit, do të jetë i një dobie te veçantë për profesionistët , duke futur kështu në kornizë përshkrimin e vetëm atyre barnave nga profesionistët, të cilat janë të regjistruara.
Ai tha se dobitë nga ky regjistër janë të shumëfishta, ndërsa shfrytëzimi i regjistrit do ti mundësojë Inspektoratit Farmaceutik që ta luftojë më me sukses tregun zi.
Regjistri zyrtar i barnave është rezultat i punës së një Komisioni prej 15 profesionistësh shëndetësor, të emëruar nga Ministria e Shëndetësisë dhe bashkëveprim i ngushtë i Shoqatës Farmaceutik që është edhe botuese me Agjensionin Kosovar për Produkte Mjekësore, Fakultetit të Mjekësisë-Institutit të Farmakologjisë dhe profesionistëve shëndetësor.