Promovohet regjistri i barnave
Botimi i katërt i Regjistrit zyrtar të barnave në Republikën e Kosovës është vazhdimësi e punës së bërë nga autorët e këtij regjistri edhe në tre edicionet e kaluara, me mbështetjen e Ministrisë së Shëndetësisë, ndërkohë që ky regjistër është dukshëm më i pasuruar se edicionet e kaluara si në përmbajtje ashtu edhe me informacione profesionale me 160 molekula të reja apo 613 lloje të ndryshme të barnave të regjistruara deri në muajin prill të këtij viti.
Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani tha se ky regjistër zyrtar mundëson përfitime shumë dimensionale për punëtorët shëndetësor që merren me menaxhimin e barnave, profesionistët shëndetësor të cilave ua lehtëson punën në përshkrimin e barnave të regjistruara dhe që janë në tregun kosovar, por dhe për qytetarët e vendit, si përdorues të tyre, të cilët i ndihmon që ti njohin barnat të cilat janë të regjistruara në Kosovë.
Gjithashtu, nxjerrja e këtij regjistri flet edhe për rezultatet pozitive të cilat janë duke u shënuar në sektorin farmaceutik të vendit, tha Ministri Rrahmani.
Arianit Jakupi, ushtrues detyre i Kryeshefit të AKPPM-së, tha se regjistri është rezultat i punës së përbashkët i MSH-së, AKPM-së, Shoqatës së Farmacistëve dhe Degës së Farmacisë së Fakultetit të Mjekësisë dhe si i tillë, ky regjistër i përmban ekskluzivisht barnat e regjistruara në Kosovë deri në prill të vitit 2015. Pra, ato barna që kanë Autorizim Marketing në Republikën e Kosovës, tha ai.
Sipas Jakupit, regjistri i ri përmban 160 molekula të reja apo 613 lloje të ndryshme të barnave të regjistruara, ndërkohë që vet tregu kosovar i barnave është solid dhe numëron rreth 700 molekula apo 3000 forma farmaceutike.
Shaip Krasniqi, profesor i lëndëve të Farmacisë në Fakultetin e Mjekësisë dhe një nga autorët e Regjistrit të barnave 4 , tha se ky regjistër është mjaft i avancuar sa i përket strukturës dhe përmbajtjes, madje më i avancuar se regjistrat e ngjashëm të vendeve të rajonit dhe produktet e prezantuara në të prezantohen përmes emrit gjenerik, grupit farmakoterapeutik, ATC kodit si dhe kategorisë së përdorimit të barnave në shtatzënësi.
Dashnor Nebija, gjithashtu profesor në Farmaci dhe një nga autorët e regjistrit dhe se puna për editimin e regjistrit të radhës do të vazhdojë dhe synimi është që në të përfshihen edhe preparatet tradicionale, ato bimore etj.
Regjistri i Barnave 4 është nxjerrë në 2000 kopje dhe ai do tu shpërndahet falas profesionistëve shëndetësor të gjitha niveleve.