23 Dhjetor 2024

Prokurimi publik në MSH, me shumë probleme

Prishtinë, 14 shtator - Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) - Transparency International Kosova (TIK), në kuadër të projektit “Transparenca dhe Llogaridhënia në prokurimin publik”, ka organizuar të premten një tryezë të rrumbullakët, ku është diskutuar për sfidat e prokurimit publik në Ministrinë e Shëndetësisë.

Në debat ka marrë pjesë ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, përfaqësues të OSHP-së, deputetë, operatorë ekonomikë, përfaqësues të institucioneve tjera, si Auditori i Përgjithshëm, OJQ-të dhe mediat.

Fillimisht, Merita Mustafa nga KDI ka bërë një vlerësim të përgjithshëm të gjendjes së prokurimit publik në këtë ministri. Ajo ka thënë se për një periudhë pesë mujore, prill – gusht 2012, MSH ka shqiptuar afër 40 mijë euro dënime për operatorët ekonomikë të ndryshëm për moszbatim të kontratës, apo vonesa gjatë zbatimit.

Ajo ka folur edhe për: lëvizjet e vazhdueshme të stafit brenda departamentit të prokurimit dhe për gjetjet nga raporti i Zyrës së Auditorit të përgjithshëm siç janë: mos përfshirja e shërbimeve të cilat kanë kosto të madhe në planin vjetor të prokurimit, blerjet e  barnave të cilat veç janë në depo e që krijon shpenzime të shtuara.

Po ashtu, ajo ka thënë se shtimi i procedurave të panevojshme, pagesat para se të kryhen punët apo shërbimet, rrisin rrezikun e mos pranimit të vlerës dhe cilësisë për paranë e shpenzuar etj.

Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani së pari ka folur për gjendjen në këtë institucion, duke e përshkruar si mjaft të rëndë, e që sipas tij është krijuar nga keqpërdorimet në dekadën e fundit. Sipas tij, për këtë fakt, ka pasur edhe nivel shumë të ulët të llogaridhënies.

Por, ministri Agani ka thënë se megjithatë buxheti për këtë ministri është larg nevojave dhe se Ligji për Prokurimin Publik nuk është i përshtatshëm për MSH-në, sidomos në aspektin e furnizimit me barna. “Njëra prej zgjidhjeve është që të krijohet mundësia ligjore për përjashtime, kur bëhet fjalë për furnizim me barna”, ka thënë ndër tjera ministri Agani.

Zeqir Fetoshi që ka përfaqësuar Organit Shqyrtues të Prokurimit, ka dhënë një pasqyrë të punës së këtij institucioni. Për vitin 2011, ai ka thënë se ndaj MSH-së kanë qenë 14 ankesa, ku nga to, 13 janë shqyrtuar, 7 janë aprovuar, 1 është dërguar në rivlerësim, ndërsa 5 kanë shkuar në ritenderim.

“Sipas OSHP-së, Ministria e Shëndetësisë në 50 për qind të rasteve e ka zbatuar Ligjin për Prokurimin Publik”, ka thënë ai, duke shtuar se për vitin 2012, deri më tani nuk ka pasur asnjë ankesë ndaj MSH-së.

Përfaqësuesi i Shoqatës së Farmacistëve, Kadri Bytyqi ka thënë se rreth kësaj çështjeje janë dy preokupime që ai i sheh si problem në funksionimin e prokurimit në MSH, procedurat para tenderimit dhe procedurat pas prokurimit.

“Sa i përket procedurave para tenderimit, duhet pasur parasysh çmimet referente, hartimi transparent i listës së barnave, etj. Ndërsa tek procedurat pas tenderimit, mungon monitorimi”, ka thënë ai.

Në debat është folur edhe për aspekte konkrete të prokurimit në këtë ministri, me theks të veçantë aspekti i tenderëve për furnizim me barna. Përpilimi i listës së barnave ka qenë ndër temat më të diskutuar nga pjesëmarrësit.

Sipas pjesëmarrësve në debat, asnjëherë nuk dihet se kush e bënë përpilimin e listës së barnave dhe në këtë aspekt, MSH nuk e bënë transparente këtë çështje. 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)