Projektligji i Sigurimeve Shëndetësore përmirëson cilësinë shëndetësore në vend
Prishtinë, 13 dhjetor - Ministria e Shëndetësisë organizoi sot një debat publik lidhur me Projektligjin për Sigurime Shëndetësore.
Në këtë debat, me pjesëmarrja të institucioneve dhe mekanizmave të ndryshëm vendor e ndërkombëtar, Ministri i Shëndetësisë Ferid Agani, Ferid Agani Ministër i Shëndetësisë, tha se ky projektligj synon të përmirësojë cilësinë e sigurimeve shëndetësore në vend, të sigurojë qasje universale ndaj shërbimeve shëndetësore për qytetarët, veçanërisht në aspektin e pakos themelore të kujdesit shëndetësor.
Ky projektligj, në themel ka synimin vendosjen e një sistemi publik të detyrueshëm, të obligueshëm të sigurimeve shëndetësore në vend. Nuk do të ishte funksional, nuk do ti jepte të gjitha rezultatet e pritura, sikur të mos zbatohej paralel me Ligjin e shëndetësisë, i cili ka hyrë në fuqi në muajin maj të këtij viti, por edhe me Ligjin e Odave të Profesionistëve Shëndetësor dhe legjislacionin tjetër të cilin jemi duke e nxjerrë, legjislacionin tjetër reformues, tha Agani.
Shërbimet e kujdesit shëndetësor themelor, përfshijnë ruajtjen dhe përparimin e gjendjes shëndetësore të popullatës nëpërmjet parandalimit dhe zbulimit të hershëm të sëmundjeve dhe të çrregullimeve shëndetësore, përveç programeve të shëndetit publik nën autoritetin e Ministrisë së Shëndetësisë.
Procedurat mjekësore me qëllim të zbulimit të hershëm të sëmundjeve, diagnostikimit, mjekimit dhe përcjelljes së gjendjes shëndetësore të qytetarit dhe banorit; Trajtimin dhe mjekimin e sëmundjeve specifike, lëndimeve dhe çrregullimeve të tjera të veçanta shëndetësore.
Rehabilitimin mjekësor spitalor dhe jashtë spitalor; Shfrytëzimin e barërave dhe materialit shpenzues medicinal nga Lista Esenciale e përcaktuar nga Fondi, Shfrytëzimin e shërbimeve stomatologjike dhe ndihmesave protetike, sipas Listës së përcaktuar nga Fondi.
Shfrytëzimin e pajisjeve ortopedike, ndihmesave orto-protetike dhe materialeve shpenzuese si dhe ndih mesave të tjera, sipas Listës së përcaktuar nga Fondi.
Ministri Agani shpjegoi se ky projektligj, parasheh që pagesa e premiumeve në sektorin publik të jetë në shkallën 3.5 % për punëdhënësin dhe 3.5 për qind për punëmarrësin, sikurse edhe në sektorin privat, derisa në sektorin privat, përkatësisht në kompanitë që nuk kanë qarkullim vjetor më të lartë se 50 mijë euro, premiumet do ti paguaj vetëm punëmarrësi në vlerë prej 3.5 eurove për kokë të anëtarit të familjes.
Sipas parashikimeve, mbledhja e kontributeve pritet të fillojë në tremujorin e fundit të vitit që vjen.
Ministri Agani ka shpjeguar se ky projektligj është finalizuar pas një procesi intensive të punës dy vjeçare dhe një dakordimi me Bankën Botërore, Fondin Monetar Ndërkombëtar, OBSH-në dhe partnerët e brendshëm në Kosovë, duke krijuar kështu mundësitë që pas miratimit, reforma e sistemit shëndetësor të përfshijë edhe mënyrën e financimit të shëndetësisë.
Arsim Qavdarbasha, U.D Kryeshefit Ekzekutiv të Agjencionit të Financimit të Shëndetësisë në MSh, si parim të këtij projektligji përmendi qasjen universale.
Ai tha se shërbimet e kujdesit shëndetësor themelor, zbatohen në kushte të njëjta për të gjithë personat e siguruar, duke përmendur edhe si qëllim që asnjëri të mos mbetet pa sigurim shëndetësor.
Disa nga pikat tjera në drejtim të reformës, janë edhe këto siç po i shikoni Agjencioni i financimit, mjetet bashkë-pagesat, shërbimet e kujdesit shëndetësorë themelor, financimi i institucioneve si dhe kategoritë e qytetarëve të liruar nga bashkë-pagesat, e që është një prej elementeve shumë të rëndësishme në ofrimin e qasjes së barabartë të qytetarëve në shërbimet shëndetësore, shprehet ai.
Personat e liruar nga pagesa e premiumit dhe bashkë-financimi, janë qytetarët dhe banorët, si familjet e varfra nën asistencë sociale , të burgosurit të cilët janë dënuar, Individët të cilët janë duke jetuar në institucione shtetërore (fëmijët nën kujdes të sforcuar dhe nën kujdestari, të moshuarit dhe personat me aftësi të kufizuara të strehuar në shtëpitë për persona të moshuar si dhe në shtëpitë për integrim në komunitet), personat e ri-atdhesuar bazuar në marrëveshjet bilaterale të Republikës së Kosovës me shtetet e tjera, në vitin e parë pas ri-atdhesimit, invalidët e luftës me shkallë të lartë të pa-aftësisë (bashkëshortja dhe fëmijët e tyre nën 18 vjet) në pajtim me pragun zyrtar të pa-aftësisë minimale prej 60 për qind.
MSh pret që këtë projektligj ta procedojë në Qeveri gjatë këtij muajit, ndërsa pritjet e saj janë që pas miratimit në Kuvendin e Kosovës, mbledhja e kontributeve për Fondin e Sigurimeve Shëndetësore të fillojë në tre mujorin e fundit të vitit që vjen.