Project Hope e vlerëson MSH partnerin më të mirë në rajon
Prishtinë, 1 shkurt - Një delegacion i lartë i Fondacionit mjekësor nga SHBA Project -HOPE, People to People Health Foundation, i kryesuar nga Stuart Myers, nënpresident i fondacionit është pritur sot në Ministrinë e Shëndetësisë nga Zëvendësministri i Shëndetësisë Nemanja Vujoviq, Sekretari Permanent dr. Ilir Tolaj me bashkëpunëtorë.
Në këtë takim është biseduar për bashkëpunimin midis këtij Fondacioni dhe Ministrisë së Shëndetësisë, gati një vit pas nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit, që rezultoi me një asistencë të vlefshme të Projektit Hope me pajisja mjekësore dhe barna për institucionet shëndetësore të Republikës së Kosovës.
Stuart Myers, theksoi se bashkëpunimi i deritanishëm është vlerësuar si shumë i mirë, kurse menaxherja regjionale me seli në Shkup e Projektit Hope, Katerina Takovska, tha se Ministria e Shëndetësisë e Kosovës është treguar partnerja më e mirë e projektit Hope ne rajon.
Sekretari Permanent i MSH-së, Ilir Tolaj, ka falënderuar Projektin Hope për asistencën tejet të çmuar gjatë vitit 2010 dhe ka shprehur zotimin që bashkëpunimi do të vazhdojë edhe më tutje, ndërkohë që mysafirët i ka njoftuar me buxhetin shumë të kufizuar për barna, me nevojën e ngritjes së resurseve profesionale si dhe nevojën e ngritjes së kapaciteteve për disa shërbime që në Kosovë ende janë deficitare në sektorin publik dhe në të cilat disa investime nuk kanë prodhuar rezultatet e pritura.
Në takim është biseduar edhe për hartimin e një Koncept dokumenti në të cilin do të vijëzohen nevojat dhe prioritetet, të cilat do të mund të adresohen në bashkëpunimin e mëtejmë midis Project-Hope dhe MSH-së.
Nënkryetari i Project Hope, Stuart Myers, theksoi se ai po qëndron në rajon për të marrë edhe një fitbek lidhur me atë se si ka shkuar deri më tani bashkëpunimi, ndërsa gjatë ditës së nesërme, vendet e rajonit, përfituese nga Projek Hope, në mesin e tyre edhe Kosova, do të përfaqësohen në një work shop që mbahet në Shkup, me rastin e përvjetorit të katërt të Zyrës Rajonale të Projektit Hope.
Delegacioni i Project Hope ka vizituar sot edhe QKUK-në.
Gjatë vitit që shkoi, Project Hope e ka ndihmuar MSh-në dhe spitalet e Kosovës e pajisje dhe furnizim me barna në vlerë prej 4 milionë dollarëve amerikanë.