Pritet marrëveshja Kosovë - Maqedoni në shëndetësi
Prishtinë, 27 prill - Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Bujar Bukoshi, priti sot në një takim Ambasadorin e Republikës së Maqedonisë në Kosovë, z. Stojan Karajanov.
Në këtë takim, Ministri Bukoshi e ka vlerësuar inkurajues bashkëpunimin konkret midis dy shteteve.
Ai e ka çmuar lart kontributin e ambasadorit me përvojë në diplomaci, Stojan Karajanov, në intensifikimin e këtij bashkëpunimi Kosovë-Maqedoni dhe e ka njohur Ambasadorin me gjendjen në shëndetësinë kosovare dhe problemet e saj.
Ministri Bukoshi ka inkurajuar shkëmbimin e përvoja pozitive midis dy shteteve në shëndetësi dhe në funksion të intensifikimit të bashkëpunimit, në pjesën e parë të majit, ministri kosovar i Shëndetësisë do ta vizitojë Shkupin, me qëllim të arritjes së Marrëveshjes për bashkëpunim ndërshtetëror në shëndetësi.