09 Janar 2025

Prezantohet praktika e mbrojtjes së të drejtave të pacientëve

Prishtinë, 17 tetor - Organizuar nga Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë (PRAK) në bashkëpunim me UNDP-në dhe Ministrinë e Shëndetësisë sot në Prishtinë i ka filluar punimet  Konferenca rajonale dy ditore me temën: \'\'Mbrojtja e të drejtave të pacientëve-sukseset dhe sfidat\'\'.

Kjo është konferenca e parë e këtij lloji në Kosovë dhe ka për qëllim të prezantojë praktikën e mbrojtjes së të drejtave të pacientëve në Kosovë dhe të mundësoj shkëmbimin e përvojave mes vendeve të rajonit në fushën e mbrojtjes së të drejtave të pacientëve.

Gjithashtu,  në këtë konferencë po diskutohet edhe për institucionalizimin e Avokatit të Pacientëve, praktikë kjo e aplikuar në vendet e rajonit dhe Evropës.

Duke përshëndetur punimet e kësaj konference, Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani, tha se ajo paraqet një përvojë të re në relacionet midis pacientëve, përkatësisht shoqatës që mbron të drejtat e tyre me institucionet dhe qytetarët, ndërkohë që theksoi faktin se MSh ka krijuar hapësirë që PRAK të jetë e kyçur aktivisht në mekanizma të shumtë institucionalë shëndetësor, për të fuqizuar të drejtat e pacientëve dhe për të siguruar trajtimin sa më të mirë të tyre me rastin e marrjes së shërbimeve shëndetësore.

Ministri tha se përveç legjislacionit, Ministria ka krijuar edhe mekanizma lehtësues për sigurimin e të drejtave të pacientëve, forma të reja të komunikimit me ta dhe me përfaqësuesit e tyre, po angazhohet të rris kapacitetet inspektuese dhe monitoruese. “Kjo do të mundësojë të rritet transparenca  dhe të zhvillohet një komunikim më i mirë me qëllim që pacientët të jenë të kyçur edhe në vendimmarrjen dhe hartimin e politikave në shëndetësi.

Patrik Etienne, drejtor i Përgjithshëm i  Zyrës Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim në Kosovë (SDC), tha se përmes projektit për sigurimin e shërbimeve shëndetësore të qasshme për të gjithë qytetarët, SDC, ka ofruar mbështetje që PRAK të jetë e përfshirë në mekanizmat që ndihmojnë avancimin e të drejtave të pacientëve në Kosovë, ndërsa konferenca tregon se në Kosovë ka potencial që të fuqizohet bashkëpunimi në këtë drejtim.

Drejtori i SHSKUK-së, Curr Gjocaj, tha se përveç krijimit të një legjislacioni adekuat, ku të drejtat e qytetarëve dhe të profesionistëve shëndetësor në kujdesin shëndetësor janë definuar mirë, institucionet shëndetësore i kanë ofruar qasje PRAK-ut me qëllim që të bashkëpunohet për realizimin e të drejtave të pacientëve në Kosovë.

Kurse, Besim Kodra, përfaqësues i PRAK, ka bërë një prezantim të zhvillimit të kësaj shoqate prej themelimit të saj më 2013 duke theksuar se,  fakti që institucionet shëndetësore (MSh dhe ShSKUK) kanë pranuar që një organizatë e pavarur të jetë edhe fizikisht brenda tyre, tregon për një bashkëpunim të mirë, por që për këtë organizatë tek tani fillon puna e madhe, pasi që, monitorimi i deritanishëm prej tyre tregon se janë identifikuar probleme të shumta si mungesa e barnave, kushtet higjienike jo adekuate në nivele të ndryshme, listat e gjata të pritjeve, gabime mjekësore dhe aparaturë jo adekuate, të cilat ndikojnë në (mos) realizimin e plotë të drejtave të pacientëve në Kosovës. 

Me prezantime të ndryshme rreth të drejtave të pacientëve, rëndësisë së përfshirjes së pacientëve në kujdesin shëndetësor, fuqizimin e rolit të tyre, mbulimin universal shëndetësor dhe rolit të pacientëve në sistemin shëndetësor, ka pasur disa prezantime nga Dula Rusinoviq Sunara nga Kroacia, Selena Imerovic nga Forumi Evropian e i Pacientëve, Skënder Syla (OBSh) dhe prezantues të tjerë. 

Në këtë konferencë po  marrin pjesë përfaqësues të Shoqatave të pacientëve nga Kroacia, Mali i Zi, Shqipëria, Serbia , Institucionet Evropiane që merren me të drejtat e pacientëve, (Rrjeti i shoqatave të pacientëve të Evropës ACN, Forumi Evropian i Pacientëve EPF) si dhe Institucionet e Kosovës MSh, Institucioni i Avokatit të Popullit, drejtorët e spitaleve, Odat mjekësore, Shoqatat e pacientëve në vend, etj. 

Konferenca organizohet në kuadër të Projektit të Protektorit (zyra e ankesave të pacientëve) i cili zhvillohet nga Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë në bashkëpunim me UNDP dhe Ministrinë e Shëndetësisë.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)