24 Dhjetor 2024

Prezantohet ofrimi i kujdesit shtëpiak për të moshuarit në nevojë

Prishtinë, 1 tetor - Me rastin e 1 Tetorit-Ditës Ndërkombëtare të Personave të Moshuar që sivjet mbahet me moton: ”E ardhmja që ne duam - çfarë thonë personat e moshuar" sot në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Prishtinë, u bë prezantim i Manualit “Ofrimi i kujdesit shtëpiak për të moshuarit në nevojë”, i publikuar nga IKSHP, me mbështetjen e  Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).

Në këtë ngjarje, mori pjesë edhe Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Ferid Agani.

Ai tha se kategoria e të moshuarve në Kosovë gëzon një respekt brenda familjeve kosovare që është një vlerë për t’u çmuar, por, është obligim institucional, theksoi Ministri Agani, që të mbështetet dhe fuqizohet përkujdesja institucionale.

Ministri vlerësoi se përkujdesja aktuale ndaj kategorisë së të moshuarve është e mangët, por Ministria e Shëndetësisë në kuadër të kompetencave të veta, po ndërmerr hapa të rëndësishëm në fuqizimin e kësaj përkujdesjeje nga aspekti shëndetësor.

Në këtë drejtim, Ministri Agani përmendi themelimin e Qendrës për të moshuarit në IKSHP si qendër e ekspertizës që do t’u ofrojë politikë-bërësve të dhëna me rëndësi, ndërkohë që hapa të tjerë po ndërmerren për fuqizimin e shërbimeve shëndetësore për të moshuarit në kuadër të Kujdesit Parësor Shëndetësor.

Ministri Agani theksoi se MSh është në proces të reformës shëndetësore dhe, siguroi kategorinë e të moshuarve se me miratimin e Ligjit të Sigurimeve Shëndetësore, hapi i parë që do të bëhet për këtë kategori do të jetë rimbursimi i barnave, një program ky i paraparë prej MSH-së, që sipas Ministrit mund të fillojë të bëhet në pjesën e dytë të vitit 2014, ndërkohë që do të fuqizohen edhe shërbimet e kujdesit shtëpiak, me që krijimi i sigurimeve shëndetësore do ta ndryshojë edhe bazën e financimit të shëndetësisë duke siguruar një financim më të qëndrueshëm.

Dr. Sami Uka nga Zyra e OBSH-së në Prishtinë tha se kjo organizatë me politikat e saja u ndihmon shteteve të ndryshme që të krijojnë strategji efektive siç është Strategjia e plakjes aktive, qëllimi i së cilës është që ta bëjë këtë kategori të shoqërisë që të ndihet aktive, e dobishme dhe ta ndiejë veten të vlefshme për shoqërinë. Parimet e trajtimit të tyre, tha ai, janë mirëkuptimi dhe solidariteti.

Shaban Kajtazi, kryetar i Lidhjes së Pensionistëve të Kosovës, ka falënderuar MSh-në për hapat që po ndërmerr për të krijuar sigurimet shëndetësore dhe programin e rimbusrimit të barnave, ndërkohë që ka theksuar se mungesa e përkrahjes më të fuqishme institucionale, rritja e shkallës së shuarjes së familjeve tradicionale, dukuritë si kriza ekonomike dhe varfëria, bashkë me tendencën e rritjes së numrit të moshuarve në Kosovë, janë disa prej problemeve që e karakterizojnë këtë kategori.

Ndonëse theksoi se familjet kosovare janë më të kujdesshme se  familjet e të gjithave vendeve të Ballkanit ndaj kategorisë së të moshuarve, zbehja e kësaj tradite mund të ndikojë keq në gjendjen e tyre.

Dr. Naser Ramadani, drejtor i IKSHP-së theksoi se institucionet shëndetësore po ofrojnë brenda mundësive të tyre kujdes shëndetësor për kategorinë e të moshuarve, dhe në këtë aspekt, edhe IKSHP po jep kontributin e saj për dizajnimin  e politikave adekuate.

Me diskutime për këtë ditë dhe nevojat e personave të moshuar, kanë kontribuar edhe Znj. Ajshe Nuhiu nga Shoqata e Grave pensioniste “Vita-Jeta” dhe  z. Sylejman Meta nga Federatat e Pensionistëve të Kosovës. 

Manuali i prezantuar sot u dedikohet për përdorim të gjitha kategorive të ofruesve të shërbimeve të kujdesit shtëpiak për të moshuarit, përfshirë dhe ofruesit vullnetarë të përkujdesjes ndaj të moshuarve, si një formë e nevojshme e kujdesit që duhet nxitur të ofrohet më gjerësisht nga organizata të ndryshme humanitare dhe jofitimprurëse.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)