Prezantohen raportet për shkaqet e vdekjeve në Kosovë
Prishtinë, 22 korrik - Në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike u prezantuan sot dy studime demografike: Shkaqet e vdekjeve në Kosovë për 2008 & 2009 dhe Regjistrimi i vdekjeve në Kosovë, dy hulumtime këto të ndërmarra nga Zyra e Prism Research, respektivisht Enti Statistikor i Kosovës Departamenti për Statistikë të Popullsisë dhe në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik.
Në këtë prezantime u tha se përkundër përparimit të vogël, sistemi i mbledhjes dhe procesimit të informatave vitale demografike në Kosovë mbetet prapa standardeve të shteteve tjera evropiane, ndërkohë që hulumtimet u vlerësuan si shumë të rëndësishme dhe ato paraqesin një pikënisje kruciale për dizajnimin e politikave shëndetësore të bazuara në fakte por edhe për ndërmarrjen e masave domethënëse për përmirësimin e kujdesit shëndetësorë dhe sistemit të regjistrit civil në Kosovë.
Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Ferid Agani, tha se këto dy hulumtime janë argumente shkencore për planifikime dhe analiza në mënyrë që bazuar në fakte dhe të dhëna të krijohen politika shëndetësore dhe të ofrohen shërbime shëndetësore sipas nevojave.
Ministri tha se koordinimi i aktiviteteve midis institucioneve të ndryshme në këtë fushë bën që të dhënat të jenë sa më efikase dhe më të ngjeshura.
Raportet e tilla dhe të ngjashme kanë rëndësi për MSH-në, sepse ne jemi në fillim të një reforme shëndetësore, e cila ka nevojë për të dhëna e fakte, tha Ministri Agani, duke theksuar se kjo reformë në shëndetësi, ka filluar me reformën legjislative së pari, për të vazhduar pastaj me hapa të tjerë, dhe për të cilët duhen edhe të dhëna.
Zëvendësministri i Ministrisë së Administratës Publike, Nexhmedin Kastrati, tha se pas regjistrimit të popullsisë dhe ekonomive familjare në Kosovë, Enti i Statistikave të Kosovës ka krijuar mundësi edhe për lansimin e produkteve të tjera të rëndësishme me të dhëna sikurse këto dy hulumtime.
Naser Ramadani , drejtor i IKSHP-së, tha se hulumtimet e prezantuara dhe të tillat që do të do të pasojnë , do të jenë në funksion të ndërgjegjësimit, sjelljeve dhe praktikave të popullatës kundrejt regjistrimit të vdekjeve dhe funksionimit të regjistrimit të vdekjeve në Kosovë.
Doina Bologa, kryesuese e Zyrës së UNFPA-së në Kosovë tha se hulumtimet janë shumë të rëndësishme dhe se ato duhet tu shërbejnë vendimmarrësve për hartimin e atyre politikave që përmirësojnë kujdesin shëndetësor, bazuar në praktikat që i implementojnë vendet evropiane.
Hulumtimet u prezantuan nga Kadri Sojeva nga ESK dhe Visare Mujko-Nimani (UNFPA).
Hulumtimi Regjistrimi i vdekjeve në Kosovë është i pari i këtij lloji i bërë ndonjëherë në Kosovë.
Sipas hulumtimit, vetëm 60.6 % të rasteve të vdekjes janë regjistruar drejt në Regjistrin e Vdekjeve të Zyrës Civile Shtetërore të Regjistrimit. Tri arsyet kryesore të mos-regjistrimit të rasteve të vdekjes të potencuara nga respondentët e anketuar janë mosnjohja e procedurës (19%), mos-informimi se a duhet bërë regjistrimi (17%), dhe çmimi i lartë që lidhet me këtë rast (14.5%).
Hulumtimi Shkaqet e vdekjeve në Kosovë për 2008 & 2009 është rrjedhojë e një studimi të ngjashëm për vitin 2006&2007. Rezultatet e arritura të këtij studimi tregojnë që: nga numri i të gjitha vdekjeve të raportuara në 2009, 19.35 % të rasteve të vdekjes ishin të pa-kodifikuara (shkaku i vdekjes i pa-specifikuar); rangimi i shkaktarëve kryesorë të vdekjeve nga numri total i vdekjeve të diagnostifikuara në Kosovë është: 1) Sëmundjet e Sistemit Cirkularë 49.31%, 2) Shkaqet e panjohura të vdekjes 25.82% (simptomat, treguesit dhe gjetjet abnormale klinike dhe laboratorike, të pa-klasifikuara gjetiu) 3) Neoplazmat/kanceri 10.14%.
Bazuar në këto zbulime relevante, UNFPA dëshiron të ndihmon dialogun me partnerët qeveritarë dhe jo-qeveritarë, organizatat ndërkombëtare dhe shoqërinë civile në mënyrë që të ndërmerren veprime konkrete që shpiejnë deri te përmirësimi i situatës aktuale.