Presidentja Jahjaga vizitoi nxënësit e lënduar në QKUK
Prishtinë, 1 mars - Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga vizitoi sonte Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë dhe u interesua për shëndetin e nxënësve të shkollave të Pejës, të cilët po trajtohen në këtë Klinikë dhe që kanë marrë lëndime gjatë një koncerti humanitar që u mbajt në Qendrën Sportive Karagaç të Pejës.
Gjatë vizitës, Presidentja Jahjaga u shoqërua nga ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani.
Mjekët kujdestarë në QKUK e informuan Presidenten për gjendjen e pacientëve dhe për trajtimin e tyre, duke theksuar se gjendja e tyre është e rëndë por e qëndrueshme dhe se atyre po ju jepet gjithë trajtimi përkatës dhe ndihma e nevojshme mjekësore.
Presidentja Jahjaga shprehu urimet për shërimin e të lënduarve dhe për kthimin sa më të shpejtë pranë familjeve të tyre.