Preportr: Pacientët trajtohen me medikamente të kontrabanduara
Prishtinë, 14 janar - Qendra Kosovare për Gazetari Hulumtuese - Preportr, e cila funksionon në kuadër të organizatës ÇOHU! ka realizuar një hulumtim në lidhje me kontrabandimin e citostatikëve, shitjen ilegale të tyre si dhe përdorimin e gjerë të këtyre citostatikëve që bëhet brenda Klinikës së Onkologjisë.
Ekipi i Preportr, ka monitoruar për disa ditë me radhë Klinikën e Onkologjisë, ku pacientët trajtohen me medikamente të kontrabanduara.
Gjatë monitorimit që iu është bërë sallave ku trajtohen pacientët, shtatë citostatikë që janë më të nevojshmit, e që pacientët ishin detyruar ti blinin vetë, kanë qenë pa banderola.
Në mesin e këtyre citostatikëve që Preportr ka arritur t\'i identifikojë janë: Herceptin, Gemcit, Endoxan, Akarbaz, Flourouracil, Vincristine, Cyclophosphamide.
Në këtë klinikë është vendosur një njoftim, përmes të cilit informohen pacientët që kur ti blejnë citostatikët të sigurohen se janë me banderola, në të kundërtën mund të shkaktojnë efekte anësore dhe përgjegjësinë për pasojat e bartin vetë pacientët.
Dokumenti i siguruar nga Preportr tregon se, Ministria e Shënetësisë as për së afërmi nuk përmbushë listën vitale me citostatikë. Si pasojë pacientët detyrohen të blejnë citostatikë në tregun privat ku edhe qarkullimi i medikamenteve të kontrabanduar është tejet i madh.
Drejtues të Onkologjisë thonë se për çdo ditë sillen citostatikë pa banderola në onkologji dhe se edhe nëse furnizohet kjo klinikë me 50% të citostatikëve nga Ministria e Shëndetësisë, 50%-shi tjetër janë të kontrabanduara. Ata thonë se mjekët janë të detyruar që ti trajtojnë pacientët me citostatikët që ata i sjellin, e që në të shumtën e rasteve janë pa banderola dhe nuk janë të sigurta për nga cilësia.
Preportr, gjatë hulumtimit ka hasur në citostatikë të kontrabanduar kryesisht në barnatoret afër QKUK-së. Si mostër gjatë këtij hulumtimi është marrë lloji i citostatikut Herceptin. Ky citostatik përdorët për trajtimin e kancerit të gjirit, është ndër më të kërkuarit por edhe i shumë i shtrenjtë.
Në njërën barnatore çmimi i këtij bari ka qenë 1595 euro. I njëjti bar, në një barnatore tjetër ka kushtuar vetëm 700 euro. Tri javë më vonë, ekipi i Preportër sërish ka kërkuar të njëjtin citostatik në barnatoren e njëjtë dhe ky medikament pas tri javësh është ofruar me çmim prej 800 euro.
Me një çmim shumë më të ultë, vetëm 450 euro, këtë citostatik e ka ofruar një barnatore tjetër. Kjo do të thotë trefish më lirë sesa çmimi në treg, apo edhe çmimi me të cilin e blen vetë Ministria e Shëndetësisë, i cili është 1550 euro.
Preportr poashtu ka arrritur të sigurojë këtë citostatikë pa banderolë edhe përmes telefonit. Mjafton ta telefonosh një kompani të madhe farmaceutike dhe mund të bëhet kontakti me kontrabanduesit. Diferenca tejet e madhe e çmimeve dhe sigurimi i tyre në mënyrë shumë diskrete nga ana e barnatoreve vë në pah funksionimin e rrjetit të kontrabandës në tregun farmaceutik.
Në bazë të hulumtimit pjesa më e madhe e citostatikëve të kontrabanduar hyjnë në Kosovë përmes vendeve të rajonit si Serbia, Maqedonia dhe Shqipëria. Por, ka raste kur edhe citostatikët e blerë nga Ministria e Shëndetësisë përfundojnë në tregun ilegal.
Një nga citostatikët e kontrabanduar që është gjetur në Klinikën e Onkologjisë ishte blerë nga Ministria e Shëndetësisë. Preportr ka vërtetuar se ky medikament ishte vjedhur nga institucionet shëndetësore e pastaj është shitur në tregun ilegal.
Në Agjencinë e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale dhe në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se nuk e dinë që në Onkologji jepen citostatikë të kontrabanduar, ndërsa nuk kanë asnjë raport që kanë inspektuar këtë klinikë për këtë çështje.
Problemi kryesor i citostatikëve të kontrabanduar është cilësia e tyre. Është e domosdoshme që citostatikët të transportohen në temperaturë 2 deri në 8 gradë celsius dhe të kenë kushte të përshtatshme gjatë transportimit. Qëndrimi dhe transportimi i këtyre medikamenteve në temperatura të larta gjatë verës, përveç që ndikon në humbjen e kualitetit dhe të mos reagojë si terapi, mund të kenë edhe kundër efekt.
Një nga problemet që është shfaqur vazhdimisht ka qenë përpilimi i listës së citostatikëve në kohën kur përgatitet tenderi. Disa onkologë në kushte anonime kanë thënë për Preportr, se janë kontaktuar nga kompani që importojnë citostatikë, të cilët u kanë ofruar favore të ndryshme për tua përfshirë në listë citostatikët për të cilët ata kanë licencë të importimit. Burime të Preportr, konfirmojnë se këso favorizime u bëhen edhe mjekëve të tjerë të cilët janë pjesë e komisionit për përpilimin e listës së barnave të cilat duhet të blihen nga MSh.