PRAK kërkon lehtësimin e realizimit të drejtave të pacientëve
Mitrovicë, 3 prill - Ministri i Shëndetësisë Prof. Dr. Ferid Agani priti sot në takim përfaqësuesit e një delegacioni të Asociacionit për të Drejtat e Pacientëve në Kosovë (PRAK), të kryesuar nga drejtori i kësaj organizate, Dr. Muhamedali Kodra.
Në këtë takim, Ministri Agani ka mirëpritur themelimin e një asociacioni të këtillë në Kosovë, që do të fokusohet në promovimin e të drejtave të pacientëve kosovarë, duke ofruar gatishmërinë e plotë të Ministrisë për të bashkëpunuar, me qëllim sigurimit të shërbimeve cilësore shëndetësore për pacientët kosovarë dhe realizimin e të drejtave të tyre në kujdesin shëndetësor.
Nga ana e tyre, drejtuesit e PRAK, kanë mirëpritur gatishmërinë e Ministrisë që të jetë një institucion bashkëpunimi në kuptimin e zhvillimit të një partneriteti që do të mundësojë lehtësimin e komunikimit dhe realizimin e të drejtave të pacientëve kosovarë për shërbime sa më të mira shëndetësore dhe promovim të të drejtave dhe përgjegjësive të tyre në të gjitha nivelet e kujdesit shëndetësor në vend.