Pesë të vdekur dhe 118 te infektuar me koronavirus në Kosovë
Prishtinë, 19 korrik - Gjatë 24 orëve të fundit, në Kosovë kanë vdekur pesë persona që kanë qenë të infektuar me koronavirus, ndërkaq në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 489 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren prej të cilëve rezultojnë 118 raste pozitive.
Përmes një njoftimi për media, Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike njoftojnë se numri i përgjithshëm i të vdekurve nga koronavirusi ka arritur në 135. Aty thuhet se rastet me fatalitet kanë pasur sëmundje shoqëruese, por nuk jepen më shumë detaje.
Gjatë 24 orëve të fundit, nga koronavirusi janë shëruar 157 pacientë, duke çuar numrin e përgjithshëm të të shëruarve në 2,968.
Sipas të dhënave të fundit, numri i përgjithshëm me COVID-19 në Kosovë, ka arriturnë 5,735, ndërkaq raste aktive vazhdojnë të jenë 2,632.
Ndërkaq, Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës njofton se 300 persona me COVID-19 persona po trajtohen në Qendrën Klinike Universitare dhe në spitalet rajonale.
Në klinikat e QKUK-së, po trajtohen 163 pacientë me COVID-19, ndërkaq në spitalet rajonale janë duke marrë trajtimin 137 pacientë. Numri më i madh i pacientëve me COVID-19, që po trajtohen në spitalet rajonale është në atë të qytetit të Pejës, ku të shtrirë janë gjithsej 61 pacientë.