23 Dhjetor 2024

Pesë inkubatorët e rinj në funksion në Klinikën e Neonatologjisë

Prishtinë, 2 maj - Së fundmi, Klinika e Neonatologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës është pajisur edhe me 5 inkubatorë të rinj, të cilët janë donacion i kompanisë IPKO, e cila në bashkëpunim me Fondacionin për Nëna dhë Foshnja të Shëndosha (FHMB) e ka realizuar këtë projekt.

“Blerja e 5 inkubatorëve të rinj nga IPKO është shumë domethënës për Klinikën dhe QKUK-në në përgjithësi, mirëpo përfituesit më të mëdhenj të këtij donacioni do të jenë fëmijët e lindur para kohe, si dhe prindërit e tyre” ka thënë Mynevere Latifi, Drejtoreshë e Klinikës së Neonatologjisë në QKUK.

“Inkubatorët e rinj tashmë janë instaluar në repart, dhe ato i plotësojnë të gjitha kriteret e përcaktuara nga ana jonë” ka thënë më tej Latifi.

“Pas prezantimit të nevojës për inkubatorë të rinj, menaxhmenti i kompanisë IPKO menjëherë është përgjigjur pozitivisht ndaj kërkesës sonë, dhe është zotuar se do të na mbështesë në pajisjen e Klinikës me inkubatorë të rinj. Sot, foshnjat e lindura para kohe janë vendosur në inkubatorët e rinj” ka thënë Indira Hoti, Drejtoreshë Ekzekutive në Fondacionin për Nëna dhe Foshnja të Shëndosha.

Në anën tjetër, drejtuesi i Marrëdhënieve me Publikun në IPKO, Alban Kastrati ka thënë se “misioni i kompanisë IPKO është që të krijojë vlerë për komunitetin, në çdo segment ku mbështetja është e nevojshme dhe e mundshme, dhe se prioritet për mbështetje nga kompania gjithnjë do të jenë shtresa më e ndjeshme e shoqërisë, fëmijët, e posaçërisht foshnjet e porsalindura”.

Ky është bashkëpunimi i dytë i kompanisë IPKO dhe Fondacionit për Nëna dhe Foshnja të Shëndosha. Në vitin 2010, IPKO i pati dhënë rreth 12 mijë euro, nga të hyrat e realizuara nga SMS-të e dërguar më 17 shkurt 2010, për Fondacionin i cili mbron jetët e nënave dhe foshnjave në Kosovë.

Atë kohë, fondet janë dhënë për blerjen e sistemit të ri të oksigjenit në Njësinë Intensive të Neonatologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK)

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)