17 Maj 2024

Përurohet Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Gjakovë

Gjakovë, 4 dhjetor - Në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Gjakovë kanë përfunduar punimet në renovimin e objektit në të cilin ofrohen shërbime shëndetësore të stomatologjisë sekondare, me ç ‘rast në inaugurimin zyrtar përveç udhëheqësve komunal ka marrë pjesë edhe Ministri i Shëndetësisë, z. Imet Rrahmani me bashkëpunëtorët e tij.

Kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari Lila ka kujtuar sfidat me të cilat është përballur me këtë qendër qysh me marrjen e postit të kryetares për shkak të disa parregullsive dhe kontratave të paautorizuara, ndërkohë që me vënien në procedura ligjore të tenderimeve dhe me investimet e Komunës në vlerë prej rreth 110 mijë euro, ky objekt rinovohet në tërësi për t’u ofruar shërbime sa më bashkëkohore dhe cilësore qytetarëve.

“Shëndetësia është një prej shërbimeve kryesore, prandaj ne si Komunë edhe e kemi miratuar në Asamblenë Komunale statutin e QKMF-së dhe synojmë realizimin e projektit të ndërtimit të objektit të ri të Qendrës së Mjekësisë Familjare” është shprehur kryetarja Mimoza Kusari Lila.

Për miratimin e statutit të QKMF-së, Ministri Imet Rrahmani është shprehur mirënjohës ndaj Komunës së Gjakovës, sepse në disa komuna ka hezitime, ndërkohë që miratimi i statutit është obligativ.

Ministri Rrahmani, po ashtu ka shprehur mirënjohje ndaj qeverisjes komunale për investimet e bëra në objektin e QKMF-së, dhe ka shprehur mbështetjen e tij përbrenda mundësive buxhetore për investime në këtë sektor të shëndetësisë.

Basri Komoni, Drejtor i Drejtorisë së Shëndetësisë është shprehur posaçërisht falënderues ndaj Kryetares së Komunës, Mimoza Kusari Lila për përkushtimin e saj në renovimin e këtij objekti shëndetësor, si dhe drejtuesit dhe stafin e QKMF-së për mirëkuptimin e shprehur gjatë kohës së kryerjes së punimeve.

Për  investimet e Komunës mirënjohëse është shprehur edhe Violeta Xërxa Thaqi, Drejtore e QKMF-së, po ashtu edhe për Drejtorinë e Shëndetësisë dhe të Mirëqenies Sociale dhe bashkëpunëtorët e saj, duke shprehur besimin se me këto investime shërbimet për qytetarët do të jenë më të mira si në sasi ashtu edhe në cilësi.


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)