Përurohet Qendra e Mjekësisë Familjare në Bresalc
Gjilan, 7 shkurt - Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Prof. Dr. Ferid Agani, Kryetari i Komunës së Gjilanit Qemajl Mustafa, përfaqësues të Caritas-sit të Luksemburgut dhe zyrtarë të Drejtoratit Komunal për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale të Komunës së Gjilanit morën pjesë sot në përurimin e Qendrës së re të Mjekësisë Familjare në Bresalc të Gjilanit.
Duke përgëzuar kontribuuesit dhe punonjësit shëndetësor që do të punojnë në këtë qendër, Ministri Agani tha se ky projekt do të jetë në funksion të ofrimit të shërbimeve më cilësore për qytetarët e Bresalcit dhe është realizuar në kohën e ndryshimeve të mëdha në shëndetësi, kur sektori po ndahet nga faza e gjatë emergjente për të hyrë në fazën e reformave dhe të zhvillimit.
Kryetari i Komunës së Gjilanit Qemajl Mustafa tha se projekti është vazhdimësi e rezultateve të mira që po shënohen në Kujdesin Parësor Shëndetësor në komunën e Gjilanit dhe do të vazhdohet me projekte të tjera, të cilat qytetarëve ua bëjnë jetën më të mirë dhe shërbimet më të lehta.
Ardian Hasanaj nga Caritas-i i Luksemburgut tha se realizmi i projektit të QMF-së në Bresalc është një shembull i mirë se si dy qeveri mund të bashkëpunojnë në projekte në interes të qytetarëve.
Projekti për renovimin e kësaj qendre është realizuar me mjetet e Qeverisë së Luksemburgut (rreth 70 për qind) dhe të Komunës së Gjilanit dhe është zbatuar përmes Caritas Luksemburgut.