Persona të pa autorizuar hyjnë në administraten e QKUK-së
Prishtinë, 3 prill - Zyra për medie e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, ka bërë të ditur se drejtoria e përgjithshme e SHSKUK, në mëngjesin e sotëm, ka pranuar një informatë se në një pjesë të zyrave ku ndodhet administrata e QKUK, ka dyshime për hyrje të pa autorizuar të personave.
Zëdhënësi i QKUK-së Shpend Fazliu ka thënë së menjëherë pas kësaj informate, QKUK ka informuar organet kompetente, Policinë e Kosovës lidhur me këtë rast.
Policia e Kosovës sipas tij ka dalë në vendin e ngjarjes dhe janë duke kryer ekzaminimin lidhur me rastin.
\"QKUK, është duke pritur rezultatet e hulumtimit të Policisë së Kosovës, e cila është kompetente për hulumtim të rasteve të tilla\", ka theksuar Fazliu.
Ai ka shtuar se pasi të kryej punën Policia e Kosovës, QKUK do të formoj një komisioni i cili do të bëjë regjistrimin e dokumentacionit dhe zyrave në përgjithësi.