23 Dhjetor 2024

Përpjekjet për të zbuluar vaksinën kundër virusit HIV

Washington, 23 korrik - Kërkimet për vaksinën kundër virusit HIV janë cilësuar si një ndër sfidat më të mëdha shkencore të kohës sonë.

Gjatë 11 vjetëve të fundit, Qendra për Kërkime mbi Vaksinat në Institutet Kombëtare të Shëndetit i është përkushtuar këtij objektivi.

Ka pasur shumë suksese dhe dështime gjatë procesit, por shkencëtarët janë më optimistë se kurrë se do të prodhohet një vaksinë.

Guy Jenkins-Bass ka jetuar prej 10 vjetësh me virusin HIV. Ashtu si miliona vetë në botë, ilaçet anti-retrovirale i kanë dhënë mundësi të jetojë një jetë normale.

Ai është mirënjohës për mjekimin në Klinikën Whitman Walker në Uashington. Por ai shpreson se një ditë do të ketë një vaksinë për të parandaluar infektimin nga HIV-i dhe ndoshta një kurë kundër sëmundjes.

“Do të kisha shumë dëshirë që të gjendej një kurë. Fakti është që ka njerëz që po përpiqen për të gjetur një kurë”.

Në Qendrën për Kërkime mbi Vaksinat pranë Instituteve Kombëtare të Shëndetit, Dr. Gary Nabel ka kaluar më shumë se një dekadë me kërkime për një vaksinë.

Ai thotë se kur filloi, i dukej si një objektiv i paarritshëm. Por ndjehet i inkurajuar nga përparimi i deritanishëm.

“Do të thoja nga vetë përvoja ime personale se pika kulmore ishte ndoshta kur arritëm të identifikojmë anti-trupat me aftësitë më të gjera neutralizuese kundër HIV-it”.

Anti-trupat me aftësi të gjera neutralizuese mbrojnë qelizat e trupit nga ndërhyrje si virusi HIV. Zbulimi i aftësisë së tyre për t’iu ngjitur virusit, duke mos e lejuar të infektojë qelizat, ka hapur pista të reja kërkimesh për një vaksinë.

“Ka një pistë krejt të re paralele ku mund të përqendrohemi për të modifikuar anti-trupat, të cilët t’i injektojmë më pas tek njerëzit që mund të jenë në rrezik nga infeksionet”.

Qendra kërkimore ka filluar provat me anti-trupa tek majmunët. Specieve të painfektuara u injektohen anti-trupa dhe pastaj këto majmunë ekspozohen ndaj virusit që normalisht do t’i kishte infektuar.

“Disa prej tyre janë shumë premtuese. Ato arrijnë ta bllokojnë infeksionin. Biles arrijnë sukses në doza relativisht të vogla”.

Dr. Nabel dhe ekipi i tij po përgatiten të fillojnë provat tek njerëzit në fillim të vitit të ardhshëm. Nëse provat dalin me sukses, Dr. Nabel thotë se provat mund të vërtetojnë dy synime të rëndësishme të studimeve:

“Nëse nga provat vërtetojmë se anti-trupat bllokojnë infeksionin tek njerëzit, atëherë pak a shumë kemi identifikuar anti-trupat që do të përdoren për vaksinën. Po ashtu arrijmë të marrim të dhëna sasiore. Nëse anti-trupat japin sukses në bllokimin e infeksionit, në ç’nivel arrihet ky sukses?”

Dr. Nabel paralajmëron se edhe nëse procesi ecën mirë, do të duhet kohë deri në prodhimin e një vaksine efektive. Por pengesat po eliminohen gradualisht.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)