Përpjekje për të zhvilluar kura për sëmundjet e rënda
Washington, 5 shkurt - Dhjetë nga kompanitë më të mëdha të barnave në botë, që zakonisht janë rivalë, po bashkëpunojnë me ekspertë amerikanë të shëndetësisë në një përpjekje të pazakontë për të zhvilluar kura për sëmundjet e rënda.
Marrëveshja u bë publike sot në Uashington dhe parashikon që grupi të shpenzojë 230 milionë dollarë gjatë pesë viteve të ardhshme ndërsa studiuesit përpiqen të zbulojnë kura për Alcaimerin, diabetin e tipit 2 dhe dy çrregullime të sistemit imunitar, artritin reumatik dhe lupusin.
Kompanitë farmaceutike kanë shpenzuar gjithsej miliarda dollarë gjatë viteve të fundit, ndërsa përpiqen të zbulojnë ilaçe të reja, fitime më të mëdha dhe që të kenë avantazh konkurrues ndaj kompanive rivale.
Por drejtori i Instituteve Kombëtare të Shëndetit, Francis Collins tha se qëndrime që janë në interesin personal të kompanive kanë sjellë si pasojë përqindje të lartë dështimi në zhvillimin e kurave të reja ndërsa pacientët dhe familjet e tyre presin. Ai tha se kompanive të barnave mund tu duhen 14 vjet për të nxjerrë një ilaç të ri me një kosto prej 1 miliardë dollarësh, e megjithatë 99 për qind e këtyre përpjekjeve dështojnë.
Collins tha se kërkimet farmaceutike janë një mision shumë i madh për kompani individuale dhe se tani është koha për të punuar së bashku me shpresën për të arritur sukses në zhvillimin e ilaçeve kuruese.
Mes kompanive që bëjnë pjesë në këtë partneritet, janë shtatë amerikane: AbbVie, Biogen Idec, Bristol Myers Squibb, Johnson & Johnson, Lilly, Merck dhe Pfizer, si edhe GlaxoSmithKline e Britanisë, Sanofi e Francës dhe Takeda e Japonisë.