Përmbyllët projekti i BE-së për ndihmë humanitare ndaj COVID-19
Prishtinë, 23 nëntor - Për të shënuar përfundimin e aktiviteteve dyvjeçare të projektit “Përgjigjja ndaj Emergjencës COVID-19 dhe Mbështetje Veprimit të Hershëm”, UNDP në Kosovë organizon një ceremoni përmbyllëse, që do të mbahet sot.
Këto aktivitete, më mirë të njohura si Projekti i Ndihmës Humanitare (HAP), u financuan nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, dhe zbatuan nga UNDP, në partneritet me UN Women Kosova, dhe në bashkëpunim të ngushtë me Zyrën e Vullnetarëve të OKB-së, institucionet qendrore dhe lokale, dhe OJQ-të partnere.
Ceremonia shërben për të shënuar përkushtimin e jashtëzakonshëm të të gjithë partnerëve dhe për të promovuar rezultatet e përpjekjes së përbashkët në përmirësimin e ofrimit të shërbimeve sociale nga Qendrat për Punë Sociale (QPS) dhe përmirësimin e qasjes në mbrojtje sociale të barabartë, cilësore dhe të integruar për grupet më të cenuara.
Në të njëjtën kohë, ky rast na lejon të reflektojmë se si, së bashku mund të punojmë në mbështetje të qëndrueshmërisë midis komuniteteve dhe institucioneve ndaj goditjeve të jashtme.
Të pranishëm në këtë ngjarje do të jenë znj. Arnhild Spence, Koordinatore e OKB-së për Zhvillim në Kosovë, Johannes Stenbaek Madesen, Udhëheqës për Bashkëpunim në Zyren e BE-së në Kosovë, Hekuran Murati, Ministër i Financave, Punës dhe Transfereve, znj. Maria Suokko, Përfaqësuese e Përhershme e UNDP-së, Vlora Tuzi Nushi, Udhëheqëse e UN Women Kosova, znj. Dafina Gexha-Bunjaku, Ushtruese e Detyrës së Ministres së Shëndetësisë, Blerim Azizi, Koordinator Vendi I Vullnetarëve të OKB-së (UNV), Marta K. Gazideda, Menaxhere e Portofolit të Qeverisjes dhe Ndërtimit të Paqes dhe Zëvendës Koordinatore e Programit në UNDP dhe bashkëpunëtorë e mysafirë të tjerë.
Projekti HAP i financuar nga BE-ja ka qenë në qendër të përpjekjeve të UNDP-së për rikuperim nga Covid-19 dhe i bazuar në parimin e Kombeve të Bashkuara “askush të mos mbetet pas”.
Komponentët e projektit, si shpërndarja e kuponëve për ata që jetojnë me asistencë sociale, vendosja e vullnetarëve të OKB-së në Qendrat për Punë Sociale (QPS), ndërhyrjet në QPS-të dhe strehimoret, dërgimi i klinikave mobile dhe fuqizimi ekonomik i grave, të gjitha kanë pasur një synim të përbashkët – të ofrojë ndihmë për ata që jetojnë në situata të cenueshme.