Përkrahet ushqimi foshnjave me qumësht të gjirit të nënës
Prishtinë, 1 tetor - Përfaqësues nga Ministria e Shëndetësisë, Komuna e Prishtinës - Drejtoria Komunale për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, përfaqësues nga Zyra e UNICEF-it në Kosovë, OBSh-së, Kosova Health Foundation, Kryqit të Kuq të Kosovës, profesionistë shëndetësor dhe vullnetarë, kanë hapur sot në Prishtinë Javën për të Ushqyerit me Qumësht të Gjirit në Kosovë, 1 7 Tetor 2013.
Hapja e Javës për të Ushqyerit më Qumësht të Gjirit u bë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, me çrast nëna që janë duke i ushqyer fëmijët e tyre me qumësht të gjirit apo i kanë ushqyer më parë, kanë treguar për eksperiencat pozitive në shëndetin e fëmijëve të tyre si rezultat i të ushqyerit në këtë mënyrë.
Në këtë takim, Drejtori i Departamentit të Shërbimeve Shëndetësore në MSh, dr. Curr Gjocaj ka theksuar se shëndeti i nënave dhe fëmijëve mbetet prioritet i lartë për MSH-në, e cila falë politikave të drejta, ka arritur që të ndihmojë në përmirësimin e shëndetit dhe statusit shëndetësor të këtyre kategorive të rëndësishme.
Dr. Agron Gashi nga Zyra e UNICEF-it në Kosovë, theksoi rëndësinë e të ushqyerit me qumësht të gjirit si një metodë më e dobishme dhe kosto-efektive për nënat në mbrojtjen e shëndetit të foshnjave.
Për rëndësinë e të ushqyerit me qumësht të gjirit të foshnjave ka folur edhe neonatologia dr. Minavere Hoxha si dhe vet nënat, të cilat me shembullin e tyre treguan për dobitë që për fëmijët e tyre ka sjellë ushqimi me qumësht të gjirit.
Nga ky takim u është bërë thirrje nënave te reja që fëmijët e tyre ti ushqejnë me qumësht të gjirit.
Takime të ngjashme në të njëjtën kohë janë organizuar edhe në Qendra të tjera të Mjekësisë Familjare (Gjilan, Prizren, Ferizaj, Gjakovë, Pejë dhe Mitrovicë) me ndihmën dhe përkrahjen e menaxherëve të QKMF dhe trajnerëve.