Përgatitet për betonim pllaka e katit të parë në objektin e QKMF
Kaçanik, 2 korrik - Është përgatitur për betonim pllaka e katit të parë (pllaka e tretë) e aneksit të objektit në ndërtim e sipër të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Kaçanik.
Për të parë ecurinë e punimeve, vendpunishten e ka vizituar nënkryetari i Komunës, z. Remzi Elezi i shoqëruar nga znj. Diana Reka, drejtoreshë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Socila dhe z. Nejazi Ilazi, drejtor në QKMF.
Zenun Zenuni, mbikëqyrës i punimeve në Kompaninë Euroing nga Suhareka e cila është duke i kryer punimet, i ka thënë nënkryetarit Elezi se tani më janë kryer pothuajse të gjitha punët përgatitore në aneksin e shkurtër, ndërsa nesër pritet të bëhet betonimi i pllakës me sipërfaqe prej 300 metrash katror. Ai njoftoi se në ditët në vijim pritet të bëhet edhe betonimi i pllakës së pjesës tjetër të objektit me sipërfaqe prej 900 metra katror.
Objekti i tipit P+1 me sipërfaqe të përgjithshme prej 2400 metrash katror është duke u ndërtuar me bashkëfinancim të Komunës së Kaçanikut, Ministrisë së Shëndetësisë, Ambasadës së Luksemburgut dhe Caritasit të Luksemburgut.
Sipas Kontratës së nënshkruar do të investohet shuma prej 1,245,000 euro prej të cilave Komuna do të dhuroj 350,000 euro, Ministria e Shëndetësisë shumën prej 650,000 euro, Caritasi 200,000 euro dhe ambasada e Luksemburgut do të participoj me 45,000 euro.