Përballja me krizën e heshtur dhe endemike të praktikave të dëmshme
Prishtinë, 30 qershor - Një veprim urgjent nevojitet për të ndaluar gjymtimi gjenital femëror, abortin selektiv, martesën e fëmijëve dhe praktikat e tjera që dëmtojnë gratë dhe vajzat, sipas raportit të ri të UNFPA
30 qershor 2020, Prishtine - Çdo vit, miliona vajza në të gjithë botën u nënshtrohen praktikave që i dëmtojnë ato fizikisht dhe emocionalisht, me dije dhe pëlqim të plotë të familjeve, miqve dhe komuniteteve të tyre, thotë Raporti i Gjendjes së Popullsisë Botërore 2020, lëshuar sot nga UNFPA, Fondi për Popullsi i Kombeve të Bashkuara.
Të paktën 19 praktika të dëmshme, duke filluar nga hekurosja e gjirit deri tek testimi i virgjërisë, konsiderohen shkelje të të drejtave të njeriut, sipas raportit të UNFPA, i cili përqendrohet në tri praktikat më të përhapura: gjymtimin e organeve gjenitale të femrave, martesën e fëmijëve dhe paragjykimet ekstreme ndaj vajzave në favor të bijve.
"Praktikat e dëmshme kundër vajzave shkaktojnë një traumë të thellë dhe afatgjatë, duke ua hequr atyre të drejtën për të arritur potencialin e tyre të plotë," thotë Drejtoresha Ekzekutive e UNFPA-së, Dr. Natalia Kanem.
Këtë vit, rreth 4.1 milion vajza do t'i nënshtrohen gjymtimit të organeve gjenitale. Sot, 33,000 vajza nën moshën 18 vjeç do të detyrohen të martohen, zakonisht me burra shumë më të moshuar. Gjithashtu, një preferencë ekstreme ndaj djemve kundrejt vajzave në disa vende ka nxitur abortin selektiv në bazë të gjinisë ose një neglizhencë ekstreme që çon në vdekjen e vajzave si fëmijë, duke rezultuar në 140 milion “femra të humbura”.
Në Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore, martesa e fëmijëve është përgjithësisht e paligjshme dhe në përgjithësi janë në rënie, por prapë praktikohen gjerësisht në pjesë të rajonit (ku deri në 15% të grave janë martuar para se t’i mbushin 18 vjeç në disa vende; dhe në disa komunitete një në dy gra ishte e martuar si fëmijë).
Preferenca për djemtë mbetet gjithashtu e zakonshme në rajonin e Evropës Lindore dhe Azisë Qendrore, duke rezultuar në raporte të pabalancuara mes gjinive në lindje në pjesë të Kaukazit të Jugut dhe Evropës Jug-Lindore, pasi që aty lindin shumë më shumë djem sesa vajza.
Vendet që kanë ratifikuar traktatet ndërkombëtare, siç është Konventa për të Drejtat e Fëmijëve, kanë për detyrë t'i japin fund këtij dëmi. Shumë janë përgjigjur me ligje, por vetëm ligjet nuk janë të mjaftueshme.
Dekada të përvojës dhe hulumtimit tregojnë se qasjet për zgjidhje thelbësore nga poshtë-lart, janë më të mira për të sjellë ndryshime, thuhet në raportin e UNFPA.
"Këto praktika të dëmshme kanë një shkak thelbësor të përbashkët: nënvlerësimin e përhapur dhe të përhershëm të vajzave dhe grave," thotë Alanna Armitage, Drejtoresha Rajonale e UNFPA-së për Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore. "Por ne po shohim që normat sociale po zhvendosen në drejtimin e duhur, dhe ekziston një mundësi e vërtetë që të punojmë së bashku - qeveri, shoqëri civile dhe personalitete me ndikim në shoqëri - ne mund t’i bëjmë këto praktika që dëmtojnë vajzat një gjë të së kaluarës."
Programet për të ndryshuar normat diskriminuese shoqërore janë efektive në eliminimin e praktikave të dëmshme, por ato nuk duhet të përqendrohen vetëm në këto praktika. Përkundrazi, ato duhet të adresojnë çështjet më gjerësisht në këtë drejtim, përfshirë pozitën vartëse të grave dhe vajzave, të drejtat e tyre të njeriut dhe mënyrën e ngritjes së statusit të tyre dhe qasjes në mundësi, thuhet në raport.
Në përgjithësi, eliminimi i fenomenit të martesës së fëmijëve dhe gjymtimit të organeve gjenitale femërore në të gjithë botën është i mundur brenda 10 viteve duke rritur përpjekjet për t'i mbajtur vajzat në shkollë më gjatë, duke u mësuar atyre shkathtësi për jetesë dhe duke angazhuar burra dhe djem në ndryshime shoqërore. Investimet që kapin shumën prej 3.4 miliardë dollarë në vit deri në vitin 2030 do t'i jepnin fund këtyre dy praktikave të dëmshme dhe do t'i jepnin fund vuajtjes së rreth 84 milion vajzave, shkruan raporti.
Ndërsa është bërë përparim në eliminimin e disa praktikave të dëmshme në të gjithë botën, pandemia COVID-19 kërcënon të na kthejë mbrapa. Një analizë e kohëve të fundit zbuloi se nëse shërbimet dhe programet mbeten të mbyllura për gjashtë muaj, rreth 13 milion vajza shtesë mund të detyrohen të martohen dhe 2 milion vajza të tjera mund t'i nënshtrohen gjymtimit të organeve gjenitale nga sot deri në 2030.
Pandemia mund të rrisë rrezikun e martesës së hershme të detyruar si një strategji për të zvogëluar barrën ekonomike në familje. Dhe bllokimet, mbylljet e shkollave dhe kufizimet e lëvizjes po prishin rutinat e vajzave adoleshente dhe sistemet e tyre mbështetëse.
"Pandemia ka rrezikuar më shumë vajza dhe kërcënon të minojë përparimin që kemi bërë," thotë Armitage. "Ne duhet të dyfishojmë përpjekjet tona për tu siguruar që vajzat kudo janë plotësisht në gjendje të gëzojnë të drejtat e tyre, të bëjnë zgjedhje për jetën e tyre dhe trupat e tyre."