Pediatria sqaron rastin e pacientes Sheqiri
Prishtinë, 11 gusht - Ditëve të fundit në mjetet e informimit është trajtuar rasti i pacientes së Repartit të Hemato- Onkologjisë, B. Bashkim Sheqiri. Në mesin e të akuzuarve është edhe Reparti i Hemato-Onkologjisë.
Në vazhdim ju paraqesim faktet dhe kronologjinë e rastit në fjalë
B. Sheqiri, është pranuar në Klinikën e Pediatrisë me datën 14/04/2014, me numër të historisë 1792/14, ajo është trajtuar deri më 16/05/2014 dhe diagnoza e lëshimit ishte TU- Abdominis (tumor i abdomenit).
Ajo ishte pranuar me raport të radiologut nga klinika private Aloka që me datën 06/04/2014, kishte bërë CT të abdomenit dhe të toraksit (barkut dhe kraharorit) me konkluzion, TU WILMS, Tu i veshkës së djathtë, për tu verifikuar me histopatologji, stadi I-II, me kërkesë të konsultimit të urologut, nuk ishte vërejtur tumor tjetër.
Me datën 07/04/15, Në Klinikën e Radiologjisë në QKUK, është bërë ultrazëri i abdomenit dhe është konstatuar masë në veshkën e djathtë, nuk kishte përshkrim të tumorit tjetër.
Klinika e Pediatrisë, Reparti i Hemato- Onkologjisë, kishte dërguar në Klinikën e Gracit, mostrën e urinës për diagnozë diferenciale në mes të Tu Wilms (tu i veshkës) dhe Neuroblastoma tumor më i shpeshtë i ganlioneve nervore që mund të gjendet në ato hapësira të abdomenit, e njëjta ka rezultuar negative për Neuroblastomë.
Pas analizave tjera të kryera në klinikë dhe bashkëngjitur atyre imazheritë e cekura më lartë, në konsultim me ekipin e kirurgëve, në prani të prindit dhe një i afërt i familjes, pra në pajtim të prindit merret vendim që ajo të përgatitet për operim radikal të heqjes së veshkës së djathtë me tumor. Por, paraprakisht ti nënshtrohet trajtimit pre-operativ sipas protokollit të trajtimit të tumorit me çrast vjen deri te zvogëlimi i masës së tij.
-Trajtimi pre-operativ kemio-terapeutik ka filluar me datën 16/04 një herë në javë deri më 07/05/14.
Pas trajtimit pre-operativ përsëritet CT e barkut dhe kraharorit tek klinika private ku kishte kryer CT herën e parë dhe konstatohej zvogëlim në masë i tumorit, nuk ka përshkrime të tumoreve ose metastazave në pjesë tjera të trupit, CT e kryer me 11/5/14 në Klinikën Aloka.
Në Klinikën e Kirurgjisë së Fëmijëve transferohet me diagnozën Tu- Abdomenis, pasi që vetëm analiza definitive histo-patologjike e definon dhe emërton tumorin. Pacientja operohet me datën 19/05 dhe materiali dërgohet në verifikim histo-patologjik.
Rezultati nga patologu ishte Nephroblastoma , Lymphadenitis reactiva, Shkalla e rrezikut -intermediare, Stadi i parë, analizë e kryer më 22/05/2014 në laboratorin Cito-Histopatologjik- Besa
Bazuar në konfirmimin e dyshimit për sëmundjen nga patologu, prapë në pajtim me prindin, me datën 26/05/2014 filluam trajtimin me kiomio-terapi, sipas protokollit për trajtimin e Tu wilms (tumorit të veshkës). Bazuar në masën e madhe të tumorit të operuar u vendos që kemio-terapia të vazhdohet jo me 2, por me 3 citostatikë.
-Plani për trajtimin vijues të tumorit kërkon 28 javë në vazhdim trajtim me citostatikë.
-Pas javës 17-të, të trajtimit, pacientja ankohet në dhembje në anën e djathtë nën harkun brinor. Bëhet Rezonanca Magnetike dhe komenti i radiologut me 19/9/14 ishte Gjatë MRT të abdomenit me protokoll për procese expansive analiza është mjaftë e vështirësuar nga artefaktet teknike dhe rezolucionit te dobët. Ajo që mund të thuhet është se pas aplikimit të kontrastit në nivel të veshkës së djathtë prezantohen disa formacione pseudo-cistike me përmbajtje likuidi, por pa shenja të sigurta për komponentë solide. Ne strukturat tjera te prezantuara (mëlçia, pankreasi dhe lieni si dhe veshka e majtë) janë pa shenja për ndryshime fokale. Nuk ka shenja për effusion abdominal
Ndërkohë, fëmija vazhdon trajtimin pasi nuk kishte ndryshime hematologjike dhe biokimike.
Duke parë se pacientja vazhdoj të ankohej për dhembje dhe pasi që prindërit dërgojnë CT në konsultim dhe mendim sekondar, për këtë ishte i njoftuar edhe Dr. Ramush Bejiqi, ku jep vlerësim ndryshe nga ai i radiologut të QKUK. Reparti i Hemato-Onkologjisë kërkon mendimin konsultativ konsiliar nga Klinika e Radiologjisë, me date-n 08/10/15 ku konstatohet se Gjatë RM të abdomenit me protokoll për procese expansive dhe pas aplikimit të kontrastit para-magnetik, vërehet se në nivel të lozhës së veshkës së djathtë prezantohet masë e çrregullt heterogjene me imbibim të kontrastit para-magnetik pas aplikimit të tij, ndryshim që mund ti përgjigjet rest apo recidivit te procesit primar. Poashtu, vërehet edhe infiltrim i tehut medial të lobit të djathtë të mëlçisë në afërsi të lozhës së veshkës, poashtu edhe me infiltrim te brinjës në nivel të lozhes së veshkës së djathtë. Prezent limfonode retroperitoneale djathtas. Lieni, pankreasi dhe veshka pa ndryshime evident.
Menjëherë pas marrjes së rezultatit të mendimit konsiliar përgatitet dokumentacioni për trajtim jashtë vendit, datë 08/10/15 Dg Tu Wilms, metastasis hepatis me nënshkrim të komisionit të klinikës dhe këshillohet që këtë dokument ta dërgoj menjëherë në Ministri të Shëndetësisë.
Në konsultim dhe miratim të prindit vazhdojë kemio-terapinë edhe me 27/10 dhe 3/11/14 ishte hera e fundit që Blinera ishte në Repartin e Hemato-Onkologjisë dhe ka marrë citostatikë Vincristin. Gjendja e përgjithshme e saj në aspektin fizik, hematologjik ishte stabile. Më tutje, nuk kemi pasur informata mbi gjendjen e saj dhe se ku ndodhej ajo.
Gjatë trajtimit pre-operativ dhe post-operativ, prindi ka siguruar citostatikun Actinomycin D dhe të hollat e shpenzuara i janë rimbursuar nga OJQ Care for Kosovo kids- Asociacion Holandez qe blenë citostatikë në vazhdimësi për fëmijët e sëmurë.
Pra, për afër 10 muaj, Klinika e Pediatrisë dhe Reparti i Hemato- Onkologjisë, nuk ka pasur dijeni për gjendjen e saj.
Tek pas publikimit në medie, kuptuam se ajo ishte në Francë, e jo ne Itali ku ishte paraparë të trajtohej sipas Ministrisë së Shëndetësisë.
Klinika e Pediatrisë nuk posedon asnjë dokument për trajtimin e vazhduar në Francë, dhe nuk kemi dijeni për obduksionin e bërë.
- Pra , qëllimi ynë është të njoftojmë autoritetet se ne kemi vepruar sipas fakteve dhe te gjeturave gjate diagnostifikimit.
Edhe njëherë, Klinika e Pediatrisë dhe Reparti i Hemato-Onkologjisë, shprehë keqardhje për vdekjen e saj.
Reparti i Hemato-Onkologjisë ka bërë atë çka ka mundur të bëhej.
Klinika e Pediatrisë dhe Reparti i Hemato-Onkologjisë ka vërejtje në mënyrën e raportimit të medieve dhe në gjykimin e tyre paraprak të rasteve. Për çdo mëdyshje duhet të njoftohen institucionet që do ti hulumtojnë rastet në mënyrë profesionale.