Pas therjes me thikë i rikthehet jeta në QKUK
Prishtinë, 24 prill - Me datën 20 prill , në Qendrën Emergjente të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, pas plagëve të marra nga goditja me thikë, sjellet në gjendje të rendë i riu L.H. (1994) nga Prishtina.
Pas reanimimit nga ana e mjekëve në Qendrën Emergjente, Dr. Haxhere Dervishi, Dr. Ejup Govori dhe Dr. Sami Bajqinca, për shkak të gjendjes shumë të rëndë, kirurgu torakal, Dr. Fitim Selimi, bashkë me Dr. Bedri Osmani dhe Dr. Luan Jaha, kishte vendosur për ndërhyrje urgjente kirurgjike.
Nën anestezionin e mbajtur nga ekipi i anesteziologjisë, Dr. Medita Hashimi, Dr. Fatos Sada dhe Dr. Agron Ruva, kryhet operacioni gjatë së cilit ishte konstatuar që gjendja e shokut hemorragjik ishte rezultat i goditjes me thikë në zemër dhe mushkëri, gjë që kishte shkaktuar gjakderdhjen nga këto organe, e që kishte për pasojë tamponadën e zemrës dhe rënien e funksionit të saj.
Gjatë ndërhyrjes së shpejtë ishte bërë detamponimi si dhe sanimi i dëmtimeve të shkaktuara nga goditja në murin e barkusheve të zemrës dhe mushkërisë, duke arritur të bëhet rikthimi i punës së zemrës si dhe ruajtja e organeve tjera vitale.
Lëndimet e zemrës janë gjendje që paraqesin urgjencat më të rënda kirurgjike, andaj edhe intervenimi kirurgjik dhe sanimi i pasojave nga këto lëndime kërkon qasje të përgatitur profesionale, shpejtësi në veprim si dhe funksionim kompakt ekipor.
Në këtë rast u dëshmua funksionimi i suksesshëm i mekanizmave të domosdoshëm , duke filluar nga reanimimi në Qendrën Emergjente, ekipit të anesteziologjisë si dhe ekipit kirurgjik .
Pacienti vazhdon të trajtohet në Repartin e Kirurgjisë Torakale dhe gjendja e tij është në përmirësim të vazhdueshëm!
PS: Të bashkëngjitur gjeni shkurtimisht disa fotografi nga kjo ndërhyrje për të cilat kërkojmë të jeni të kujdesshëm gjatë botimit. Po ashtu, posedojmë edhe videon amatore nga ndërhyrja direkte.