Pacientët nga Kaçaniku shërbimet e dializës i marrin në Ferizaj
Prishtinë, 22 tetor - Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Ferid Agani, i shoqëruar nga Sekretari i Përgjithshëm i MSh-së, Gani Shabani, dhe kryetari i Kaçanikut, Besim Ilazi vizituan sot Spitalin e Ferizajt.
Kjo vizitë u bë në rastin e transferimit të dhjetë pacientëve të dializës nga komuna e Kaçanikut dhe Hanit të Elezit, të cilët tash e tutje, këto shërbime do ti marrin në këtë spital, derisa deri tash, të njëjtat i kanë marrë në Spitalin Rajonal të Gjilanit.
Ky transferim është mundësuar falë zgjerimit të shërbimit të dializës në Spitalin e Ferizajt, duke shkurtuar ndjeshëm rrugën e këtyre pacientëve për marrjen e shërbimit.
Ministri Agani u informua nga stafi i këtij repartit për shërbimet që po ofrohen në këtë spital dhe i vizitoi edhe pacientët të cilët po merrnin aty shërbimet e dializës.
Pacientët i vlerësuan shërbimet që u ofrohen nga ky repart dhe stafi aty, duke e falënderuar Ministrinë dhe Drejtorinë e Spitalit për zgjerimin e shërbimeve të hemodializës, që atyre u ka mundësuar marrjen e shërbimeve shumë më afër se kur bënin një orë e gjysmë rrugë deri në SR të Gjilanit.
Ministri Agani, duke i falënderuar dhe uruar mjekët për punën profesonale dhe gatishmërinë e tyre për të qenë çdo herë pranë pacientit me shërbimet e tyre, ju premtoi përkrahje të vazhdueshme stafit mjekësor dhe pacientëve , duke kërkuar gjithashtu edhe rritjen e cilësisë së shërbimeve.
Shërbimi i hemodializës në Spitalin e Ferizajt ofron shërbime të dializës për 50 pacientë, 10 prej të cilave nga Kaçaniku e Hani i Elezit dhe këto shërbime i ofron në dy ndërrime.