Operacioni i parë në spitalin e ri në lagjen Bair të Mitrovicës
Mitrovicë, 5 mars - Sot është kryer operacioni i parë në spitalin e ri të ndërtuar në lagjen Bair të Mitrovicës, përkatësisht në repartin e gjinekologjisë me obstetri, i cili është funksionalizuar këtë javë.
Për të parë kushtet e punës në këtë repart, atje ka qëndruar edhe kryetari i komunës, Avni Kastrati dhe drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë, Shaqir Demiri, të cilët janë njoftuar në hollësi me ecurinë e punëve në këtë spital, ku pritet së shpejti që të funsionalizohen edhe repartet tjera kirurgjike.
Kryetari Kastrati, i ka uruar shëndet foshnjës së posalindur me prerje cezariane dhe nënës së saj, ndërsa mjekëve ju ka uruar sukses në ambientet e reja, duke shfaqur shpresën se mitrovicasve tani do tu krijohen mundësi më të mira për shërbime shëndetësore.
Në anën tjetër, drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë, Shaqir Demiri, ka thënë se brenda muajit pritet që të funksionalizohen edhe disa reparte të tjera, duke rritur kështu kapacitet që kanë të bëjnë me ofrimin e shërbimeve shëndetësore në këtë komunë, e cila prej pasluftës ka pasur një gjendje shumë të rëndë në këtë aspekt.
Ndërsa anesteziologu Nuredin Fazliu, i cili deri tani ka punuar në Prishtinë, vetëm disa momente pasi kishte dalur nga operacioni, tha se ka vendosur që të kthehet në Mitrovicë në mënyrë që të ndihmoj këtë spital, të cilit i mungojnë shumë kuadrot.
Ai ka theksuar se kushtet e punës janë shumë të mira dhe pret që edhe kuadro të tjera, të cilat janë duke punuar në Prishtinë të kthehen në Mitrovicë, në mënyrë që të krijohet një personal i nevojshëm për këtë spital.
Ndërsa Halime Klisurica, kryeinfermiere në repartin e gjinekologjisë, tha se në këtë repart aktualisht janë të angazhuar 30 motra dhe 7 mjekë, përderisa pritet që së shpejti këtij personeli ti shtohen edhe 2 mjekë të tjerë.
Ajo sqaroi se të premten është kryer operacioni i parë në spitalin e ri, përderisa foshnja e parë ka lindur para tre ditësh.