27 Dhjetor 2024

OKB në krye të përpjekjeve kundër Ebolës

New York, 18 shtator - Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon thotë se OKB-ja po “vihet në krye” të përpjekjeve kundër epidemisë së Ebolës në Afrikën Perëndimore.

Ai u tha dje gazetarëve se së bashku me Drejtoren e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Margaret Chan do të paraqesin një plan ndërkombëtar nesër, gjatë një takimi urgjent të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Këshilli pritet të votojë po nesër për një projekt-rezolutë të Shteteve të Bashkuara, ku u bëhet thirrje vendeve anëtare që të dërgojnë menjëherë ndihmë, spitalë portativë dhe punonjës të shëndetësisë në vendet e prekura, si edhe të heqin kufizimet e udhëtimit në ato zona.

Dje Presidenti Barack Obama njoftoi se do të dislokojë mijëra trupa amerikane për të mbështetur shërbimet mjekësore në Afrikën e Veriut ku kanë gjetur vdekjen afro 2 mijë e 500 vetë nga epidemia. 

Ndërkohë, Presidentja e Liberisë e cilësoi vendimin e Shteteve të Bashkuara për të dislokuar 3 mijë trupa në Afrikën perëndimore, si një “moment të rëndësishëm” në betejën kundër epidemisë më të rëndë të ebolës të regjistruar ndonjëherë në këtë rajon. Ajo tha se shpreson që ky akt do të nxisë vende të tjera të angazhohen.

Presidentja Ellen Johnson Sirleaf tha se qeveria e saj po lufton virusin vdekjeprurës, por Shtetet e Bashkuara e kuptojnë se Liberia nuk mund ta luftojë e vetme këtë epidemi.

Ushtarët amerikanë do të vendosen në Monrovia të Liberisë dhe do të marrin përsipër kualifikimin e personelit mjekësor, koordinimin e furnizimeve dhe ngritjen e objekteve të reja mjekësore.

Ebola ka shkaktuar vdekjen e të paktën 2400 vetëve që nga shpërthimi i epidemisë. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)