OKB: HIV/AIDS mund të dalë nga kontrolli
New York, 19 nëntor - Një raport i Kombeve të Bashkuara OKB, thotë se bota duhet t\'i rrisë përpjekjet e saj për të ndalur përhapjen e mëtejmë të virusit HIV/AIDS, në të kundërtën epidemia do të dalë nga kontrolli.
Raporti nga programi i përbashkët i OKB-së, për HIV dhe AIDS (UNAIDS), bën thirrje për miratimin e një plani të shpejtë pesë-vjeçarë, që do të përcaktojë objektivat për t\'iu kundërvënë virusit.
Qëllimi i UNAIDS është që të parandalojë të paktën 28 milion njerëz nga infektimi me këtë virus, deri në vitin 2030, dhe që përfundimisht të sjellë fundin e kërcënimit shëndetësor që virusi përbën në mbarë botën.
Michel Sidibe, drejtor ekzekutiv i UNAIDS, ka thënë se i kemi pesë vite në dispozicion që të luftojmë dhe të parandalojmë këtë sëmundje, ose të rrezikojmë që virusi të dalë jashtë kontrollit.
Virusi HIV që shkakton AIDS, i cili transmetohet përmes marrëdhënieve seksuale dhe transfuzionit të gjakut, për të cilën nuk ka shërim, gjatë 30 viteve të fundit, ka vrarë rreth 40 milion njerëz.