Oda e Stomatologëve kërkon anëtarësimin në Federatën Botërore
Prishtinë, 25 gusht - Kryetari i Odës së Stomatologëve të Kosovës (OSK), dr. Kujtim Shala, i është drejtuar me një shkresë Federatës Botërore të Stomatologëve duke kërkuar nga Asambleja e Përgjithshme e saj dhe delegatët e kësaj asambleje mbështetjen për anëtarësimin e Odës së Stomatologëve të Kosovës në këtë organizatë.
Në këtë shkresë dërguar 195 anëtarëve të Asamblesë së Përgjithshme të Federatës Botërore të Stomatologëve, theksohet se anëtarësimi i OSK-së në këtë organizatë do të ishte shumë i rëndësishëm për stomatologët kosovarë dhe përfaqësimin e tyre në mbarë botën, përmes pjesëmarrjes aktive në kongrese ndërkombëtare, konferenca, seminare dhe veprimtari të tjera profesionale.
Në këtë shkresë rikujtohet nga ana e kryetarit të saj se Oda e Stomatologëve të Kosovës ka 158 delegatë, ndërsa njohja do të ishte një domosdoshmëri, ndër të tjera, edhe për faktin e izolimit të gjatë rreth 25 vjeçar të Kosovës nga pjesa tjetër e botës dhe pamundësinë e saj të jetë pjesë e ngjarjeve të rëndësishme në shëndetësi.
Ne do ta vlerësojmë shumë mbështetjen tuaj, duke votuar pro anëtarësimit në Asamblenë e Përgjithshme, thuhet në letrën e kryetarit të OSK-së dërguar Asamblesë së Përgjithshme të Federatës Botërore të Stomatologëve dhe delegatëve të saj.
Asambleja e Përgjithshme e Federatës Botërore të Stomatologëve do të mbahet gjatë këtij viti, ndërsa për anëtarësimin e Odës së Stomatologëve të Kosovës në këtë organizatë duhen 2/3 e votave të delegatëve të saj.