Oda e Mjekëve zgjedh organet drejtuese
Prishtinë, 15 dhjetor - Në Prishtinë u mbajt sot takimi zgjedhor i organeve të Odës Mjekësore të Kosovës, të organizuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për Odën Mjekësore.
Me propozim të kryetares së Odës së Mjekëve të Kosovës, Dr. Zylfije Hundozi, bazuar në Ligjin për Odat e Profesionistëve Shëndetësor të Kosovës dhe Statutin e Odës Mjekësore, Kuvendi i Odës zgjodhi për nënkryetar të këtij organi dr. Arben Grazhdanin, ortoped në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe dr. Rrezart Halilin nga Kujdesi Parësor Shëndetësor.
Më pastaj, anëtarët e Kuvendit të Odës së Mjekëve, kanë votuar edhe për tre anëtarët e Këshillit Drejtues, me çrast, në këtë Këshill janë zgjedhur Dr. Alush Jusufi, Dr. Shemsedin Sadiku dhe Dr. Izet Sadiku.
Anëtarë të Këshillit Drejtues të Odës Mjekësore janë edhe kryetarja Hundozi, nënkryetarët Grazhdani e Halili, përfaqësues i komunitetit serb Dejan Marxhinac dhe përfaqësuesi i komuniteteve jo-serbe, Skënder Kandiq.
Tre anëtarë të tjerë, ndërkaq, do të delegohen nga Ministria e Shëndetësisë, sipas dispozitave të Ligjit për Odat e profesionistëve shëndetësor.
Gjithashtu, me votim të anëtarëve, Kuvendi i Odës së Mjekëve, zgjodhi edhe Këshillin Mbikëqyrës të Odës prej pesë anëtarëve në përbërje: Dr. Drita Peçani, Dr. Xheladin Reçica, Dr. Shaban Osmanaj, Dr. Nurishahe Hulaj dhe Dr. Fejsall Mehmeti.
Pas zgjedhjes së dy nënkryetareve të Odës së Mjekëve; anëtarëve të Këshillit Drejtues nga radhët e Kuvendit dhe zgjedhjes së anëtareve të Këshillit Mbikëqyrës, Kuvendi ka zgjedhur edhe një Komision që do të punojë në amandamentimin e Statutit të përkohshëm të Odës, një komision për formimin e Këshillit Etik dhe Gjyqit të nderit, pika këto të cilat do të trajtohen në mbledhjen e radhës të Kuvendit të Odës që pritet të mbahet më 9 janar 2014.