OBSH prezantoi draft raportin për Shëndetin Mjedisor
Prishtinë, 8 prill - Organizata Botërore e Shëndetësisë-Zyra në Prishtinë ka mbajtur sot me vendimmarrës takimin lidhur me Shëndetin Mjedisor, në të cilin është prezantuar draft- raporti i misionit të OBSh-së lidhur me shëndetin mjedisor, të realizuar në tetor të vitit 2012.
Në këtë takim morën pjesë zyrtarët më të lartë të Zyrës së OBSH-së në Kosovë dhe nga Zyra Rajonale për Evropë, të Ministrisë së Shëndetësisë dhe të institucioneve të niveleve të tjera shëndetësore.
Shefi i Zyrës së OBSh-së në Kosovë, dr. Skënder Syla, bëri të ditur se misioni për shëndetin mjedisor u realizua në kuadër të projektit Ndërtimi i së ardhmes më të mirë për qytetarët e Fushë Kosovës dhe Obiliqit: Pjesëmarrja, Mbrojtja, dhe Partneritetet Shumetnike për Arsim, Shëndetësi më të mirë dhe Amvisëri të Qëndrueshme\", ka për synim të fuqizojë dhe të mobilizojë plotësisht komunitetet e ndryshme të targetuara në komunat e Fushë Kosovës dhe Obiliqit, duke u ofruar mbështetje grupeve më vulnerabile, për të identifikuar ndërhyrjet e qëndrueshme të cilat do të zvogëlonin vulnerabilitetin dhe rreziqet e shëndetit të njeriut me të cilat ballafaqohet popullata.
Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Ferid Agani, tha se raporti paraqet një dokument themelor fillestar mbi aspekte të ndryshme të shëndetit mjedisor, dhe si i tillë adreson disa probleme të rëndësishme, të cilat do të jenë pjesë e politikave shëndetësore të cilat do ti ndërmarr Ministria e Shëndetësisë.
Ministri Agani tha se MSh është në procesin e reformave substanciale në shëndetësi, të cilat paraqesin një qasje pro-aktive të institucioneve në parandalimin e shumë sëmundje dhe problemeve të lidhura edhe me shëndetin mjedisor,
Hapi i parë, tha ai, në adresimin e këtyre çështjeve është fuqizimi i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, si një institucion bartës i aktiviteteve të fushës së shëndetit publik, që do të përcillet edhe me hapa të tjerë në kuadër të zhvillimit të politikeve të rëndësishme zhvillimore në shëndetësi.
Koordinatorja për Zhvillim e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, znj. Osnat Lubrani, tha se projekti që ka një qasje multidisiplinare synon të adresojë problemet e shëndetit mjedisor me theks të veçantë në komunën e Fushë Kosovës dhe të Obiliqit, duke adresuar gjithashtu edhe sfidën se si të bëhen zgjidhje të integruar në favor të shëndetit të komuniteteve.
Prezantimin para të pranishmëve të raportit të misionit në dritën e kornizës strategjike Shëndeti 2020 e kanë bërë Dr. Elizabet Paunovic, menaxhere e Programit-OBSH , Zyra në Bon dhe Dr. Irina Zastenskaya, OBSH-Zyra në Bon.
Misioni është realizuar nga ekspertë të Qendrës Evropiane të OBSh-së për Shëndetin Mjedisor të përkrahur nga stafi i zyrës së OBSh-së në Prishtinë.