27 Dhjetor 2024

OBSH parashikon mbi 20 mijë të prekur me Ebola

Washington, 24 shtator - Hulumtuesit amerikanë thonë se mes 500 mijë deri në 1 presje 4 milionë njerëz në Afrikën Perendimore mund të infektohen me virusin e ebolës deri në janar nëse epidemia nuk vihet nën kontroll.

Parashikimet nga Qëndra amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve bazohet në një model që presupozon se rastet do të dyfishohen në çdo pak javë në Liberi dhe Siera Leone dhe se numrat e tanishëm të raportuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë janë shumë më të ulta nga parashikimet..

Qendra tha se parashikimet e saj më të larta ka pak të ngjarë të bëhen realitet nëse përpjekjet e reja për të luftuar ebolën vihen në zbatim, përfshi shtimin e qendrave të trajtimit dhe angazhimin amerikan për të dërguar 3 mijë trupa në rajonet e prekura.

Ndërkohë, Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se numri i njerëzve të infektuar nga Ebola mund arrijë mbi 20 mijë deri në nëntor nëse nuk bëhet më shumë për të kontrolluar epideminë.                                   

Revista New England Journal of Medicine publikoi një raport ku Organizata Botërore e Shëndetësisë  paralajmëron se duhen përmirësuar sa më shpejt përpjekjet për izolimin e pacientëve, rritjen e kujdesit klinik, varrosjen e trupave të viktimave dhe mirëinformimin e njer[zve për të evituar  shtimin e shpejtë të rasteve me ebola.

Drejtori për strategjinë në OBSH, Christopher Dye, thotë se është e rëndësishme të veprohet tani.

“Një nga mesazhet kryesore që duam të përcjellim është se tashmë ndodhemi në fazën e tretë të përhapjes së epidemisë. Ka rritje eksponenciale me qindra dhe mijëra raste çdo javë, dhe nëse nuk e ndalojmë epideminë së shpejti, kjo do të jetë katastrofë.”

Raporti vjen gjashtë muaj pas lajmërimit të parë të OBSH-së për epideminë e Ebolës. Virusi ka infektuar 5864 njerëz dhe ka vrarë 2811.

Raporti thotë se megjithëse Ebola është konstatuar në shumë pjesë të Guinesë, Liberisë dhe Sierra Leone, më shumë se 90% e rasteve kanë qenë të përqëndruara në 14 nga 67 rajonet e tyre.

“Nëse nuk luftohet fort tani, do të jetë më e vështirë më vonë, prandaj duhet bërë herët. Sigurisht që duam të shpëtojmë jetë dhe të rrisim gradualisht përpjekjet. Një miliard dollarë janë shumë para, por nëse nuk jepen së shpejti atëherë do të jenë edhe më të shumta rastet që do duhen të kontrollohen.”

OBSH-ja informoi se epidemia duket se është frenuar në Nigeri dhe në Senegal, pa raste të reja në Nigeri që më 8 shtator dhe me vetëm një rast fillestar të raportuar në 29 gusht.

Ndërkohë, 30 – 40 ushtarakë të tjerë amerikanë pritet të mbërrijnë në Afrikën Perëndimore si pjesë e përjekjeve të Shteteve të Bashkuara për të luftuar Ebolën. Një zëdhënës tha se rreth 60 ushtarakë kanë mbërritur tashmë.

Shtetet e Bashkuara ka vënë në dispozicion 175 milionë dollarë për të luftuar epideminë dhe do të dërgojnë 3000 ushtarakë në rajon për të ndërtuar spitale fushore dhe për të ofruar ndihmë logjistike.

OBSH-ja ka bërë thirrje t’i jepet fund anulimeve dhe kufizimeve të fluturimeve ajrore në zonën e prekur nga Ebola. Ajo thotë se këto masa dëmtojnë përpjekjet ndërkombëtare dhe ekonomitë e këtyre vendeve.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)