OBSH organizon telekonferencë për Gripin pandemik AH1N1
Prishtinë, 26 janar - Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) organizon sot një telekonferencë profesionale për vendet e rajonit evropian, në të cilën do të diskutohet dhe prezantohen përvojat lidhur me menaxhimin e rasteve të rënda të Gripit pandemik A H1N1 (2009).
Pjesë e kësaj telekonference do të jetë edhe Kosova dhe kjo bëhet përmes Zyrës së OBSH-së në Prishtinë, që ka mundësuar që ekspertë shëndetësorë kosovarë të niveleve të ndryshme të ndajnë me kolegët e tyre të vendeve evropiane, përvojat në menaxhimin e rasteve të Gripit pandemik AH1N1.
Temat kryesore të kësaj telekonference janë menaxhimi i rasteve të Gripit AH1N1 dhe patologjive të tjera të ndërlidhura me të, vlerësimi i rrezikut, trajtimi i rasteve të hospitalizuara, përvoja britanike dhe ajo e vendeve të tjera, përdorimi i antiretroviralëve te fëmijët dhe të rriturit si dhe krijimi i mekanizmave për ndarjen e informacioneve dhe ofrimin e mbështetjes për punonjësit e kujdesit shëndetësor.