OBSH: Numri i vdekjeve nga Ebola arrin në 4555
Gjenevë, 19 tetor - Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se numri i vdekjeve nga shpërthimi i Ebolës ka arritur në 4555, ndërkohë që numri i rasteve të konfirmuara me këtë sëmundje ka arritur në gati 9,200.
Shifrat e reja të publikuara dje tregojnë se shumiva e vdekjeve ka ndodhur në Guinea, Liberi dhe Sierra Leone, përveç nëntë vdekjeve që kanë ndodhur jashtë këtyre vendeve.
Zëdhënësja e OKB-së , Sarah Crowe thotë se virusi ka lënë mijëra fëmijë jetimë në Afrikën perëndimore dhe të gjitha agjencitë e ndihmave duhet të bëjnë përpjekje për mbështetjen e tyre.
Në Liberi, dy prindër kanë vdekur nga Ebola në dy muajt e fundit.
\"Kam nevojë për para për shkollim, për rrobat e tyre, sepse të gjitha rrobat e tyre të mbetura në shtëpi janë djegur. Kështu që kam nevojë për ndihmë, nuk kam ushqim, nuk kam asgjë\", thotë fëmija e tyre Miatta.
Një specialist vendas për mbrojtjen e fëmijëve thotë se ata po përpiqen të ndihmojnë disa jetimë, por një zyrtare lokale thotë se ashtu si kriza e Ebolës, edhe gjendja e jetimëve duhet të ketë vëmendjen e komunitetit ndërkombëtar.
\"Në këtë moment, ne kemi nevojë për mbështetje nga organizata filantropike dhe nga organizata të tjera që të japin ndihmën e tyre dhe të shikojnë pasojat e kësaj sëmundje në këtë rajon\".
Tani ka njoftime se disa gabime pas shpërthimit të parë të Ebolës mund të kenë lejuar përhapjen e virusit.
Associated Press thotë se ka siguruar një raport të brendshëm të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, OBSH që jep një konologji të mundësive të humbura të agjencive të OKB-së për të parandaluar përhapjen e shpejt të Ebolës pasi ajo u diagnostikua për herë të parë në Guinea, Liberi dhe Sierra Leone.
Në dokument OBSH fajëson stafin e saj për një përgjigje të ngadaltë ndaj shpërthimit të Ebolës, duke thënë se personeli i saj nuk arriti të kuptonte se metodat tradicionale për kontrollin sëmundjeve infektive nuk funksionojnë në një rajon me kufij jo të kontrolluar mirë dhe me infrastrukturë të dobët shëndetësore.
Ndërkohë Presidenti amerikan Barak Obama dje emëroi ish ndihmësin e nënpresidentit amerikan Joe Biden, Ron Klain, si koordinator të përpjekjeve të Shteteve të Bashkuara kundër Ebolës.
Presidenti Obama tha sot në fjalimin e tij të përjavshëm se nëse Shtetet e Bashkuara luftojnë Ebolën me fakte në vend të frikës, ai është \"absolutisht i sigurt\" se Shtetet e Bashkuara mund të parandalojnë një shpërthim të rëndë të Ebolës në Amerikë dhe \"mund të vazhdojnë të udhëheqin botën në këtë përpjekje urgjente \".