OBSH i dhuroi QKUK-së 50 aparate Termo Higro Metra
Prishtinë, 7 korrik - Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka dhuruar sot në formë të donacionit 50 aparate Termo Higro Metra që do të shërbejnë për matjen e temperaturës dhe shkallës së lagështisë në kuadër të sallave operative dhe Njësive Intensive.
Vlera e donacioni është 1.300 euro përderisa OBSH e ka dhuruar atë pas kërkesës së bërë nga Ud. Drejtori Ekzekutiv i QKUK-së, dr Lulzim Emini.
Në emër të OBSH-së, donacionin e dhuroi Dr Skënder Syla, Drejtor i Zyrës së OBSH-së, për Kosovë, i cili tha se ky donacion është realizuar pas kërkesës së bërë nga Drejtoria Ekzekutive e QKUK-së. Sipas tij, ky donacioni, është njëra nga ndihmesat që ka dhënë dhe po jep OBSH për QKUK dhe shëndetësinë kosovare në përgjithësi. Ai premtoi se edhe në të ardhmen OBSH do të përkrahë dhe mbështesë projektet me rëndësi për shëndetësinë kosovare.
Dr Lulzim Emini, Ud Drejtor Ekzekutiv në QKUK, tha se duke parë nevojat që kanë sallat e operacionit për aparate të tilla, atëherë ka vendosur të kërkojë ndihmën e OBSH-së, e cila edhe në raste të tjera ka mbështetur QKUK-në. Ai tha se aparatet e dhuruara do të regjistrohen në zyrën për donacione dhe më pastaj do të vendosen në sallat e operacionit dhe Njësitë Intensive.