OBSH akuzon ashpër industritë e duhanit
Gjenevë, 31 maj - Organizata Botërore e Shëndetësisë, po shënon sot Ditën Kundër Duhanit, duke bërë thirrje për zbatim masash që do të ndalonte ndërhyrjen e industrive të duhanit në përpjekjet anti-duhan.
Këtë vit fushata e OBSH-së përqëndrohet në nevojën për të ekspozuar dhe luftuar përpjekjet gjithnjë e më agresive dhe të paturpshme të industrive të duhanit për të zhvlerësuar përpjekjet globale për kontrollimin e duhanit.
OBSH akuzon industritë e duhanit se po përdorin taktika të dëmshme dhe djallëzore për të mbajtur gjallë bizneset e tyre, që rrezikojnë jetët, duke shfrytëzuar metoda të sofistikuara për të ndikuar opinionin publik mbi duhanpirjen.
OBSH e shënon Ditën Kundër Duhanit që prej vitit 1987, për të trimëruar njerëzit gjithandej që të përmbahen nga duhanpirja të paktën një ditë në vit.