Numri popullsisë në Kosovë është rritur për 21,407 banorë

Prishtinë, 10 tetor - Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar raportin mbi Vlerësimin e Popullsisë 2013.
Ky publikim ofron të dhëna statistikore mbi popullsinë (demografinë) në nivel vendi dhe komune. ASK-ja do të vazhdojë ta bëjë këtë vlerësim, çdo vit, me qëllim që të sigurojë serinë kohore të treguesve demografikë mbi ndryshimet në nivel territorial.
Baza e të dhënave për ta vlerësuar numrin e popullsisë për vitin 2013 është marrë nga numri i vlerësuar i popullsisë rezidente në Kosovë në fund të vitit 2012, lindshmëria, vdekshmëria dhe lëvizjet e popullsisë jashtë Kosovës.
Popullsia e Kosovës për vitin 2013 (01 janar-31 dhjetor) vlerësohet të jetë 1,820,630 banorë rezidentë krahasuar me Vlerësimin e vitit 2012, që ishte 1, 815, 606 banorë.
Shtimi natyror i popullsisë në Kosovë është rritur për 21,407 banorë. Numri i lindjeve në Kosovë për vitin 2013 ishte 29,724, kurse numri i vdekjeve ishte 8,317.
Ndërkaq, numri i të kthyerve në Kosovë gjatë vitit 2013 ishte 3,864 banorë, përderisa numri i emigrantëve kosovarë ishte 20,246 banorë.
Në këtë publikim janë përfshirë edhe lëvizjet e brendshme të popullsisë (nga një komunë në tjetrën), ku numri i përgjithshëm është 9,330 banorë.