Numri i viktimave në Itiali nga koronavirusi ka shkuar në 1.809
Romë, 15 mars - Italia raportoi 368 vdekje të reja nga koronavirusi i ri (COVID-19), me çka numri i përgjithshëm i viktimave në vend ka shkuar në 1.809.
Rritja e fundit e bilancit është më e larta brenda një dite të vetme që nga shpërthimi i pandemisë në vend.
Sipas shifrave të fundit të siguruara nga Departamenti Italian i Mbrojtjes Civile, numri i përgjithshëm i rasteve të konfirmuara është rritur me 16 për qind, për të arritur në 20.603.
Qeveria italiane shpreson se masat e rrepta parandaluese, përfshirë bllokimin gati të plotë të vendit, do të ndihmojnë në frenimin e përhapjes së virusit, i cili tani, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), ka epiqendrën e tij në Evropë.
Pas shfaqjes në qytetin Wuhan të Kinës dhjetorin e kaluar, koronavirusi është përhapur në rreth 150 vende dhe territore në botë, duke shkaktuar mijëra të vdekur.
Qeveria italiane është duke finalizuar një paketë të masave ekonomike deri në 12 miliardë euro, me qëllim që të ndihmojë familjet dhe bizneset të përballen me pasojat e rënda të sëmundjes.