Numri i rasteve aktive me COVID-19 në Gjilan bie në 265
Gjilan, 11 dhjetor – Komitetit i Gjilanit për menaxhimin dhe parandalimin e përhapjes së COVID-19, nën udhëheqjen e nënkryetarit Arbër Ismajli, ka mbajtur mbledhjen e radhës për vlerësimin e përballjes me virusin në dy ditët e fundit.
Nënkryetari Ismajli ka thënë se edhe më tutje situata mbetet alarmante, por sipas tij, lajmi i mirë është se ditëve të fundit kemi një rënie të infeksionit, ku aktualisht janë 265 raste aktive me COVID-19, nga më shumë se 500 sa ishte para dhjetë ditësh.
Në emër të Komitetit, Ismajli ka apeluar qytetarët që të vazhdojnë t’iu përmbahen rekomandimeve të institucioneve kosovare të cilat janë në përputhje me Organizatën Botërore të Shëndetësisë, e që janë bartja e maskave, mbajtja e distancës dhe pastrimi i duarve, si e vetmja mënyrë e parandalimit të përhapjes së virusit.
Gjendja e përgjithshme e Gjilanit e përballjes me pandeminë që prej 13 marsit është si vijon: nga 7246 testime, 2850 qytetarë kanë rezultuar pozitivë, 2500 të shëruar, 85 të vdekur, 265 raste aktive, 56 të konfirmuar me COVID në hospitalizim dhe 120 mostra në pritje.