Nuk është shënuar asnjë rast me Ethe hemorragjike
Prishtinë, 18 maj - Kryesuar nga Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani u mbajt sot në Ministrinë e Shëndetësisë takimi i Këshillit të ri Ndërministror për parandalimin dhe luftimin e Etheve hemorragjike Krime Kongo në Kosovë.
Në këtë takim, përfaqësues nga ministritë e caktuara dhe agjensionet që përfaqësohen në Këshill raportuan për masat e ndërmarra sivjet me qëllim të ballafaqimit sa më të suksesshëm me raste eventuale të Etheve hemorragjike Krime Kongo.
Në bazë të raportimit të drejtorit ekzekutiv të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Naser Ramadani, lidhur me situatën epidemiologjike në komunat më endemike për Ethe hemorragjike si Malisheva, Rahoveci, Suhareka e Klinë, për këtë vit, me gjithë shënimin e rasteve të pickimeve, nuk është shënuar asnjë rast me Ethe hemorragjike.
Megjithatë, në takim, është kërkuar kujdes i shtuar nga ana e qytetarëve, sidomos për periudhën: mesi i majit-mesi i qershorit 2015, në zbatim të masave preventive, me qëllim të parandalimit të rasteve të Etheve hemorragjike.
Në takim u raportua për aktivitetet e edukimit dhe vetëdijesimit shëndetësor të ndërmarra në komunat më të rrezikuara nga ana e IKSHP-së, masat e repelimit të shtazëve dhe dezinsketimit të shtazëve nga ana e Agjensionit të Ushqimit e Veterinës, aktivitetet e dezinsektimit sekektiv nga Komuna e Malishevës si dhe aktivitetet e tjera të ndërmarra edhe nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor si dhe Ministria e Bujqësisë. Këto masa do të vazhdojnë përgjatë tërë periudhës që është më e ndjeshme sa i përket mundësisë së shfaqjes së Etheve hemorragjike.
Ndërkohë, në takim u bë e ditur se MSh dhe SHSKUK kanë siguruar terapi për raste eventuale të sëmundjes si dhe Klinika Infektive i ka kapacitetet e caktuara për të trajtuar në mënyrë specifike rastet eventuale të të prekurve nga Ethet hemorragjike.
Gjithashtu, në takim, u raportua se numri i pickimeve, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, është lehtësisht më i vogël.