Një punonjëse spitali në SHBA testohet pozitive me Ebolën
Teksas, 13 tetor - Zyrtarët në shtetin amerikan të Teksasit thonë se një punonjëse e shëndetësisë që ishte kujdesur për një pacient të prekur nga Ebola, i cili vdiq javën e kaluar, ka rezultuar pozitive për virusin. Është rasti i parë që Ebola transmetohet brenda Shteteve të Bashkuara.
Në një deklaratë sot, Departamenti i Shëndetësisë në Teksas tha se punonjësja njoftoi se ishte me temperaturë mbrëmjen e së premtes dhe më pas analiza tregoi se kishte virusin. Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve do të kryejë një tjetër test për të konfirmuar nëse punonjësja është infektuar me Ebola.
Ndërkohë dje në aeroportin ndërkombëtar të Nju Jorkut, JFK filloi kontrolli i pasagjerëve për Ebolën.
Punonjësja ishte pjesë e ekipit mjekësor në spitalin Texas Presbyterian, ku pacienti i parë i diganostikuar me Ebola në Shtetet e Bashkuara, Thomas Duncan, vdiq javën e kaluar. Zyrtarët e shëndetësisë po punojnë për të identifikuar dhe monitoruar të gjithë ata që kanë patur kontakt me punonjëses pasi ajo kishte filluar të shfaqte simptoma.
Zyrtarët amerikanë të shëndetësisë javët e fundit kanë thënë se sistemi amerikan i kujdesit shëndetësor është i aftë të kontrollojë përhapjen e virusit që ka shkaktuar vdekjen e mijëra vetëve në Afrikën Perëndimore.
Rasti i ri ndodh ndërkohë që disa aeroporte amerikane filluan një program më rigoroz të kontrollit të udhëtarëve që vijnë nga Liberia, Sierra Leone dhe Guinea.
Aeroporti JFK International në qytetin e Nju Jorkut dje filloi të kontrollojë pasagjerët si pjesë e përpjekjeve pët të parandaluar përhapjen e sëmundjes në Shtetet e Bashkuara.
\"Ne do tu japim udhëtarëve një listë të Qendrës për Kontrollin e Sëmundjeve që përshkruan shenjat dhe simptomat e Ebolës. Pastaj udhëtari dërgohet në një zonë private për të plotësuar një pyetësor dhe informacionet kontaktuese. Doganat dhe roja kufitare ka autorizuar dhe koordinuar personelin mjekësor që do të kontrollojë temperaturën e udhëtarëve dhe do të vlerësojë nëse janë të nivelit normal\", thotë komisioneri i doganave dhe rojes kufitare, Richard Gil Kerlikowske
Shumë udhëtarë i mirëpritën masat shtesë.
\"Kjo është e vlefshme. Çfarëdo që mund të bëhët për të parandaluar diçka drastike është e vlefshme. Çdo bezdi që ne duhet të kalojmë për hir të sigurisë, është e vlefshme\", thotë pasagjeri Boniface Osuagwu.
Procedurat e reja do të zgjerohen në katër aeroporte të tjera këtë javë. Së bashku, pesë aeroportet amerikane pranojnë më shumë se 90 përqind të të gjithë udhëtarëve që hyjnë në Shtetet e Bashkuara nga tre vendet më të goditura të Afrikës Perëndimore.
\"Ne nuk mund ta ulim rrezikun në zero. Por ky veprim do të shtojë një masë të re sigurie për publikun amerikan. Kjo procedurë e kontrollit të pikave të hyrjes, nuk do të mund gjithmonë të identifikojë njërëzit e sëmurë me Ebola siç e tregoi rasti në Dallas. Asnjë procedurë në portet e hyrjes nuk do të zëvendësonte nevojën që departamentet shtetërore dhe lokale të shëndetësisë, klinikat, spitalet, të jenë të përgatitura për të zbuluar rastet që mund të ndodhin\", thotë Dr Martin Centron, zyrtar i Qendrës së Kontrollit dhe Parandalimit të Sëmundjeve.
Britania dje bëri një provë për të testuar aftësinë e vendit për të trajtuar një shpërthim të mundshëm të Ebolës ndërkohë që edhe ky vend do të fillojë kontrollimin e pasagjerëve në disa aeroporte dhe stacione të trenit.
Në kryeqytetin e Spanjës, Madrid, 16 njerëz po monitorohen për të parë nëse do të tregojnë simptoma të Ebolës.
Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se numri i vdekjeve nga Ebola ka arritur në mbi 4 mijë.