Një në 10 të infektuar me COVID-19 është punonjës i shëndetësisë
Gjenevë, 27 mars - Organizata Botërore e Shëndetësisë ka ngritur shqetësimin e infektimit me koronavirus, të një numri gjithnjë e më të madh punonjësish të shëndetësisë.
Sipas drejtorit të organizatës për Evropën Hans Kluge, kjo ka ndikuar në aftësinë e shumë vendeve për t'iu përgjigjur pandemisë.
Kluge tha gjithashtu se prej javës së shkuar, numri i përgjithshëm i të infektuarve apo I atyre që kanë humbur jetën si pasojë e COVID-19 është trefishuar në Evropë. Ai përmendi Spanjën, Francën, Gjermaninë e Zvicrën si vendet më problematike.
Autoritetet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë bënë të ditur të enjten se në çdo dhjetë persona të prekur nga COVID-19, një prej tyre është punonjës i kujdesit shëndetësor. Kjo, sipas drejtorit të OBSH-së për Evropën ka ndikuar në aftësinë globale për t'iu përgjigjur pandemisë së koronavirusit.
"Bazuar në të dhënat që kemi , një në 10 persona të infektuar është punonjës i kujdesit shëndetësor. Shumë prej tyre ndodhen në karantinë, gjë që ka pasur ndikim negativ në aftësinë e shërbimeve tona shëndetësore për t'iu përgjigjur situatës."
"Ky është një shqetësim i madh për të gjithë ne. Nga dje (e mërkurë) Italia ka raportuar 6.200 punonjës të kujdesit shëndetësor të infektuar ndaj ne të gjithë duhet të ndërmarrim veprime për t'i mbrojtur këta njerëz kurajozë."
"Ata po punojnë pa u lodhur për t’u mbrojtur e kujdesur për ju. Edhe pse po punojnë në kushtet e një niveli të lartë stresi, ata po bëjnë sakrifica të mëdha për të mirën e një komuniteti të gjerë", thotë doktor Hans Kluge, Drejtor i OBSH-së për Evropën gjatë një konference për shtyp në Kopenhagen.
Për sa i takon numrit të të infektuarve apo atyre që kanë humbur jetën si pasojë e COVID-19 zoti Kluge tha se situata paraqitet më problematike veçanërisht në Spanjë, Francë, Gjermani dhe Zvicër.
“Që nga takimi ynë i fundit një javë më parë, numri i të infektuarve dhe vdekjeve si pasojë e COVID-19 në rajonin tonë është trefishuar. Rritja më e madhe është shënuar veçanërisht në katër nga pesë vendet me numrin më të madh të rasteve, si Spanja, Franca, Gjermania e Zvicra."
"Seksioni i Evropës së OBSH-së ka njoftuar mbi 220,000 raste dhe 11.987 vdekje të lidhura me COVID-19. Kjo do të thotë se globalisht, afërsisht gjashtë nga dhjetë raste personash të infektuar dhe shtatë nga dhjetë raste vdekjesh, raportohen nga rajoni ynë", tha ai.
Por Kluge shtoi se pavarësisht seriozitetit të situatës ka dhe shenja inkurajuese duke iu referuar rastit të Italisë. Megjithatë ai paralajmëroi, se është ende shumë herët të thuhet se pandemia po arrin kulmin e saj në atë vend.
“Italia, e cila ka numrin më të madh të rasteve në rajon, po raporton një normë pak më të ulët të rritjes, megjithatë është akoma shumë herët për të thënë se pandemia ka arritur kulmin e saj në atë vend. Së shpejti do të jemi në gjendje të përcaktojmë shkallën e ndikimit që kanë patur masat e ndërmarra nga shumë vende", tha ai.
Në rang botëror pandemia e koronavirusit ka infektuar më shumë se 487 mijë vetë ndërsa ka shkaktuar vdekjen e mbi e 22 mijë personave.
Përhapja e shpejtë e virusit ka goditur rëndë ekonominë globale dhe sistemet e kujdesit shëndetësor si dhe ka detyruar qeveritë e shumë vendeve të marrin masa kufizuese për lëvizjen e popullsisë.