Një milion euro për shëndetësi në veri
Ndonëse komunat në veri, dhe të gjitha institucionet që i ka themeluar komuna, marrin paga edhe nga buxheti i Serbisë, duke përfshirë këtu punëtorët e komunës, Qendrën e Kulturës, Qendrën për punë sociale, bibliotekën, ndërmarrjet publike komunale dhe institucione të tjera, këto mjete të ndara nga Qeveria e Kosovës do të shpenzohen varësisht nga nevojat që ata i kanë.
Adriana Hoxhiq, shefe e zyrës administrative e Qeverisë së Kosovës në veri, shpjegon për Radion Evropa e Lirë se ndonëse komunat financohen nga Serbia, Qeveria e Kosovës ndan mjete për këtë pjesë të Kosovës.
\"Qeveria e Kosovësi ka ndarë 15 milionë euro për përkrahjen e 4 komunave në veri të Kosovës, dhe 1 milion euro janë dedikuar për sektorin e shëndetësisë. Mitrovica veriore si komunë e re e ka atë kompetencë të zgjeruar ku përfshihet shkollimi i lartë dhe shëndetësia sekondare\", shprehet Hoxhiq.
Zonja Hoxhiq shpjegon edhe për mënyrën e shpenzimit të mjeteve të ndara.
\"Si do të zbatohet procesi lidhur me përdorimin e këtyre mjeteve do të jetë e njohur pas disa ditësh, pasi që tash janë bisedimet për memorandumin, i cili do të nënshkruhet ndërmjet kryetarëve të komunave dhe Ministrive relevante. Nuk është hera e parë që ka komunikim me institutcionet e Kosovës pavarësisht që ato financohen prej Qeverisë së Serbisë\".
\"Shëndetësia është sektor human dhe aty menaxhohet shëndeti i gjithë qytetarëve që jetojnë në Mitrovicën veriore. Unë shpresoj se sikur që ka qenë deri tani, kërkesat e ndryshme do ti adresohen komunave dhe më pastaj komunat do të jenë ato të cilat do të mundohen që të japin përgjigje pozitive dhe ti ndihmojnë këta sektorë me qëllim që shërbimi shëndetësor të jetë në cilësi më të mirë\", shton Hoxhiq.
Këshilltari i ministrit të Shëndetësisë në Qeverinë e Kosovës, Valbon Krasniqi, ka deklaruar se investimet kapitale nga këto mjete do të bëhen duke respektuar ligjet e Republikës së Kosovës.
\"Është mbajtur një takim me kryetarët e komunave veriore. Qëllimi ka qenë gjetja e mënyrës së realizimit të buxhetit të Minsitrisë së Shëndetësisë, ku janë ndarë 1 milion për investime kapitale apo për projekte në bashkëfinancim me komunat veriore. Parashihet të nënshkruhet marrëveshje me Ministrinë e Shëndetësisë për mënyrën e shpenzimit të këtyre mjeteve\", thotë Krasniqi.
Sidoqoftë, ndonëse autoritetet e Prishtinës kanë kërkuar që pagat për arsim dhe shëndetësi të shkojnë përmes buxhetit shtetëror në veriun e Kosovës, përfaqësues të komunave në veri të vendit, të banuara me shumicë serbe, kanë refuzuar ndarjet për shëndetësi dhe arsim.
Arsyetimin e kanë bazuar në planin e Beogradit dhe përfaqësuesve serbë në Kosovë që financimi në këto fusha të bëhet përmes Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Krijimi i këtij Asociacioni parashihet në të ardhmen, në përputhje me marrëveshjen e arritur në Bruksel më 19 prill të vitit 2013, për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
/REL/