Një delegacion i MSh-së po qëndron në Ankara
Prishtinë, 27 shtator - Një delegacioni i Ministrisë së Shëndetësisë i Republikës së Kosovës , i përbërë nga Zëvendësministrat Kadir Hyseini dhe Naim Fetahu, si dhe Këshilltarja Gynaj Hallaq, po qëndrojnë në një vizitë dyditëshe në kryeqytetin e Turqisë, Ankara.
Në ditën e parë të vizitës delegacioni i Kosovës ka takuar me Sekretarin e Përgjithshme të Ministrisë së Shëndetësisë të Republikës së Turqisë, Nihat Tosun dhe me Drejtorin e Departamentit për Marrëdhëniet me Jashtë, Kamuran Ozden.
Zëvendësministri në Ministrinë e Shëndetësisë të Republikës së Kosovës, Kadir Hyseini , ka falënderuar për ndihmën e Republikës së Turqisë në fushën e shëndetësisë, si dhe ka nënvizuar që Marrëveshja për bashkëpunim ne fushën e shëndetësisë ofron mundësi për thellimin e bashkëpunimit në këtë fushë. Hyseini tha që do të ishte e dobishme shfrytëzimi nga përvojat e Turqisë për Institutin e sapondërtuar të Onkologjisë në Prishtinë.
Sekretari i Përgjithshëm të Republikës së Turqisë, Nihat Tosun, tha se sikurse në fushat e tjera, Turqia është e gatshme për ndihmë Institutit të Onkologjisë të Kosovës. Ai tha se për përcaktimin e nevojave preferojnë dërgimin e një delegacionit ekspertesh në Kosovë.
Delegacioni i Kosovës, pastaj ka vizituar Spitalin për Edukim dhe Hulumtim të Ataturkut në të cilën është biseduar për bashkëpunimin e këtij spitali me Qendrën Klinike-Universitare të Kosovës si dhe për organizimin e trajnimeve për mjekët nga Kosova në këtë spital.
Në kuadër të programit, ekspertët për IT të Ministrisë së Shëndetësisë të Republikës së Turqisë kanë bërë një prezantim për delegacionin nga Kosova lidhur me rrjetin informativ (e-shtet) në fushën e shëndetësisë në Turqi.
Udhëheqësit për IT të Ministrisë së Shëndetësisë të Turqisë kanë shprehur gatishmërinë e tyre për ofrimin e ndihmës për zhvillimin e infrastrukturës së rrjetit informativ të shëndetësisë së Kosovës.