Nisi punimet konferenca e katërt kombëtare e psikiatrisë
Prishtinë, 25 nëntor - Organizuar nga Lidhja e Psikiatrisë Shqiptare, sot në Prishtinë i fillon punimet Konferenca e Katërt Kombëtare me temën: Çrregullimet psikotike-nga teoria në praktikë.
Në këtë konferencë tre ditore ku po marrin pjesë ekspertë vendorë dhe të huaj të fushës së Psikiatrisë, do të trajtohen tema profesionale nga fusha e psikiatrisë.
Duke i përshëndetur pjesëmarrësit e Konferencës si Ministër i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës por edhe si Kryetar i Lidhjes së Psikiatrisë Shqiptare , Ministri Ferid Agani , tha se mbajtja e kësaj konference është një moment i mirë që psikiatrit të diskutojnë mes veti të arriturat midis dy konferencave, dhe në të njëjtën kohë të debatojnë edhe për sfidat dhe hapat e ardhshëm në zhvillimin e psikiatrisë.
Shpresoj shumë se në këtë konferencë do të këmbeni shumë njohuri, sepse ka çka të mësohet dhe konferenca do të shkojë në dobi të shumanshme si në ngritjen profesionale , ashtu edhe në organizimin më të fuqishëm të Lidhjes së Psikiatrisë Shqiptare, u tha pjesëmarrësve ministri Agani.
Ai tha se Lidhja e Psikiatrisë Shqiptare është shembull dhe model edhe për shoqatat e tjera profesionale, ndërsa ka shprehur besimin psikiatria shqiptare do të zhvillohet bashkë me profesionet përcjellëse si psikologjia mjekësore dhe infermierinë.
Kryetari i Këshillit Organizativ të Konferencës, dr. Jusuf Ulaj tha se problemet të cilat i trajton psikiatria kanë në qendër njeriun, ndërsa theksoi faktin se sa i përket problemeve të kësaj fushe, është fat që për këtë lëmi, pacientët kosovarë nuk kanë nevojë që shërbimet shëndetësore ti kërkojnë jashtë vendit, me që ato i kanë në Kosovë.
Konferencën përmes një telegrami e ka përshëndetur edhe Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi si dhe përfaqësues të kësaj fushe nga Shqipëria dhe vende të tjera.
Konferenca do të vazhdojë punimet edhe të shtunën dhe të dielën.